Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se janë arrestuar shtatë aktivistë të saj pasi shkruanin parulla kundër dhunës ndaj grave.
Aktivistët e arrestuar janë: Arlinda Gashi, Guxim Krasniqi, Uran Hasani, Kujtim Hasani, Ndriçim Berberi, Blin Shabani dhe Gerolld Nikoliqi.
“Policia e Kosovës, e paaftë dhe e dështuar për t’i mbrojtur gratë nga dhuna dhe vrasjet ka arrestuar mbrëmë pas mesnate shtatë aktiviste e aktivistë deri sa po shkruanin parrulla në Gjakovë mbi vrasjen e grave. Parulla ‘Gratë dhunohen, policia flen’ është tregues për përkushtimin e institucioneve ndaj vetë qytetarëve të saj. Institucionet flenë kur duhet të kryejnë punën e tyre dhe tregohen syçelë për t’i penguar aktivistet që kërkojnë drejtësi”, thuhet në njoftim.
“Parullat janë shkruar edhe te Gjykata Themelore në Gjakovë dhe ne e mbajmë përgjegjës komplet sistemin e drejtësisë për këto vrasje. Shteti jo vetëm që nuk bën asgjë t’i parandalojë por as pasi ndodhë krimi veprojnë sipas drejtësisë. Ne nuk mund të presim e shohim se si emrat e grave rrisin listat e vrasjeve. Prandaj sot në Gjakovë protestojmë për drejtësinë, për jetën, kundër dhunës, kundër mizogjinsë, kundër diskriminimeve”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes. /Telegrafi/