Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri reagoi sot për akuzat e opozitës në lidhje me takimet që ka pasur kryeministri Edi Rama me zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal që është arrestuar së fundmi nga autoritetet amerikane.
Sipas Gjiknurit, kjo është një përpjekje e opozitës për të hequr vëmendjen nga provat e reja që kanë dalë për 21 janarin, ndërkohë që u shpreh se akuzat për ish-zyrtarin e FBI janë shumë të qarta.
“Nisur nga atë që kemi lexuar nga dokumentet e drejtësisë amerikanë, i thotë të gjitha. Kjo është një tymnajë e opozitës për të hequr vëmendjen nga provat e reja që kanë dalë për 21 janarin. Nuk ka krim më të madh se vrasja e qytetarëve të pafajshëm. Mendoj se drejtësia amerikane ka zbardhur atë çështje”, tha ai, raporton A2 CNN.
“E para, zyrtari i lartë i FBI ka qenë njeri i rëndësishëm dhe akuzohet për lidhje me pagesa të një oligarku rus dhe nuk ka lidhje me Shqipërinë. Ai ka thyer etikën profesionale për shkak të kontakteve që ka pasur. Rasti i Nick Muzin i është nënshtruar drejtësisë amerikane ku etiketohet se PD ka përfituar para ruse, deri sa ky fakt u fut në raportet e DASH. Problemi nuk ka të bëjë me takimet që ka bërë ai jashtë vendit”, tha Gjiknuri. /Telegrafi/