Site icon Telegrafi

Arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Elshani: Nuk do të ndalemi

Pas arrestimit dhe caktimit të masës së paraburgimit për Marko Dantiqin, të dyshuar për sulmin e ndodhur ndaj KFOR-it në 2023-ën në Zveçan, tha se “nuk do të ndalemi në asnjë moment”, zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e veriut Veton Elshani.

“Ne nuk do të ndalemi në asnjë moment, për neve është me rëndësi që të kemi prova dhe fakte të mjaftueshme për një person që ai të arrestohet”, u shpreh ai.

Elshani tutje tha se kanë edhe shumë raste të tjera të rëndësishëm përpos atij të lartcekurit.

“Ne kemi shumë arrestime të tjera, dhe raste të ndjeshme të cilat ndodhin në veri të vendit, dhe që janë po aq të rëndësishme sa edhe ky sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it”, tha ai për Klan Kosova.

Ai mes tjerash theksoi se nuk ka vend në veri të vendit që policia nuk ka qasje në të.

Lexo po ashtu Një muaj paraburgim për serbin, i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan

“Çka është shumë me rëndësi, është se ne nuk ka vend në veri të vendit, ku ne nuk ndërhyjmë, ku ne nuk kemi qasje. Kjo është me rëndësi për hetim kualitativ të rastit, dhe për një zhvillim  kualitativ të jetës në veri të vendit”.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj serbit, Marko Dantiq, i cili u arrestua për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan në maj të vitit 2023.

Exit mobile version