Site icon Telegrafi

Arrestimi i serbit të dyshuar për krime lufte, Sveçla: Krimet e luftës nuk i harrojmë, as nuk i falim

Foto: Ilustrim

Menjëherë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës, sot ka arrestuar një serb të dyshuar për krime lufte në Kosovë gjatë vitit 1999, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës, ka arrestuar sot të pandehurin me inicialet Z.A., nacionalitetit serb, i cili dyshohet se kishte torturuar për një ore e gjysmë një person në vitin 1999 në Kamenicë.

Serbi i arrestuar gjithashtu dyshohet se hjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë.

Lexo po ashtu Arrestohet një serb për krime lufte kundër popullatës civile në Kamenicë

Lidhur më këtë arrestim, ministri Sveçla ka thënë se “krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim”.

“Drejtësia për secilin akt çnjerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme”, ka shkruar Sveçla, në një postim në Facebook, transemeton Telegrafi.

“Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marr pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës”.

Më tej, Sveçla ka thënë se “Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht”.

“Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, ka shkruar ai.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. /Telegrafi/

Exit mobile version