Me 16 maj 1947, Dhimitër Pasko alias Mitrush Kuteli, ishte arrestuar në shtëpinë e tij në Tiranë duke u akuzuar si Armik i Popullit. Ai ishte një prej intelektualëve të cilët regjimi po i spastronte e dënonte nga dita në ditë.
Disa muaj para arrestimit të tij, Kuteli ishte larguar nga detyra që mbante në Bankën e Shqipërisë, dhe po përpiqej të gjente një punë tjetër për të mbajtur veten dhe familjen. Veç pasurisë së tij intelektuale nuk kishte pasuri të tjera. Por, pas arrestimit të tij me 16 maj 1946 dhe pasi u dënua me pesë vjet heqje lirie, e gjithë biblioteka e tij, një pasuri me vlera të rralla, u konfiskua nga regjimi komunist. Më tej fati i kësaj pasurie të vyer nuk dihet plotësisht.
Por, ndryshe nga një varg bibliotekash të konfiskuara nga regjimi në vitet e para të pas Luftës, të cilat dergjeshin magazinave dhe një pjesë e madhe ishte dëmtuar a zhdukur, për bibliotekën e Kutelit tregohet interes i veçantë.
Një dokument që daton vetëm tri javë pas arrestimit të tij dëshmon interesimin nga Drejtoria e Shtypit në Kryeministri pikërisht për këtë bibliotekë. Shkresa e 7 qershorit 1947, zbulon se biblioteka e konfiskuar e Kutelit do i nënshtrohej një inventarizimi të kujdesshëm e njësoj si me të do të veprohej edhe me bibliotekat personale të intelektualëve të tjerë arrestuar gjatë atyre kohëve. Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin, ekskluzivisht për lexuesit tanë.
Republika Popullore e Shqipëris
Kryeministrija
Drejtorija e Shtypit
V.F.L.P.
Tiranë më 7.6.1947
Këshillit Popullor të Prefekturës
Seksionit Financës
Landa: Mbi iventarizimin e libravet të bibliotekës Dhimitri Pasko
Tiranë
Në qoftë se nuk është bërë inventarizimi i librave të bibliotekës personale të të rreshtuarit Dhimitri Pasko (Mitrush Kuteli) të veprohet sa më parë në këtë drejtim dyke patur kujdes të madh që të mos humbasë ndonjë volum dhe po kështu të veprohet edhe për intelektualët e tjerë të rreshtuar në kohët e fundit. Një kopje të listës së librave të na dërgohet edhe neve ën Drejtorinë e shtypit.
Për çdo libër të shënohet: a) Titulli; b) auktori dhe c) në ç’gjyhë ëhstë shkrojtur.
Për këtë të veprohet pa vonesë dhe të na kthehet përgjegje për mënyrën e veprimit t’iaj.
SEKRETAR’I PËRGJITHËSHËM
/tesheshi/