Site icon Telegrafi

Arrestimi i kryeshefit të KRU “Gjakova” në Bullgari – çfarë thanë nga kjo kompani e çka nga Ministria e Punëve të Jashtme

Të premten u raportua se kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi është arrestuar para dy jave në Bullgari për shkak se kërkohej nga INTERPOL-i.

E lidhur me këto raportime, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës në një deklaratë për Telegrafin konfirmoi se Hasani është arrestuar në Bullgari.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës theksoi se “në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës H.K. (Hasan Krasniqi) është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në pikën e kalimit të kontrollit kufitar ‘Gyushevo’.

Nga MPJD më tej theksuan se shtetasi i Republikës së Kosovës është ndaluar pasi që i njëjti supozohet të jetë person i kërkuar nga INTERPOL-i.

Telegrafi gjatë ditës së premte ka kontaktuar edhe zyrtarë të “KRU” Gjakova.

“Kryeshefi është në pushim vjetor”, thanë shkurt nga kjo kompani, duke mos dhënë informata shtesë.

Ndërkaq, KALLXO.com mëson se ndaj Krasniqit ekzistonte një urdhërarresti ndërkombëtar nga Italia për kontrabandë me të mitur.

Lexo po ashtu Arrestimi i kryeshefit të KRU "Gjakova", për çka po kërkohej Krasniqi nga INTERPOL-i

Sipas informacioneve të cilat posedon portali Krasniqi dyshohet se kishte kryer organizim të kundërligjshëm, konkretisht kontrabandë me të mitur.

Informacionet tregojnë se Krasniqi ishte prezantuar si shoqërues i rrejshëm dhe në komplot me persona të tjerë, kishte organizuar dhe kryer kontrabandë me të mitur.

Kjo pasi që i njëjti dyshohet se me qëllim të hyrjes ilegale në Itali dyshohet se kishte simuluar pjesëmarrjen e të njëjtëve nëpër disa turne sportive, me qëllim të përfitimit të vizës Schengen për qëllime sportive.

Hasan Krasniqi ka qenë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës. /Telegrafi/

Exit mobile version