Telegrafi

Arrestimi i kandidatit të opozitës në Himarë, reagon Rama: I bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot në lidhje me arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri.

Përmes një postimi në Twitter, Rama thekson se beteja politike e Partisë Socialiste me kandidatin Beleri nuk ka asnjë lidhje me hetimet dhe përfundimet e prokurorisë.

Shefi i qeverisë i bën thirrje të gjithëve të mos nxitohen me deklarata politike, por të presin me durim provat e prokurorisë për shkeljen e ligjit nga kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Himarën.

Lexo po ashtu Arrestohet kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës

“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!”, tha Rama.

“Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, shkruan Rama në Twitter.

Ndërkohë, Prokuroria e Vlorës ka firmosur urdhër-arrestin për Fredi Belerin.

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje, i kryer në bashkëpunim.

“Ky shtetas u kap në flagrancë në Himarë në 12 maj 2023 në bashkëpunim me persona të tjerë duke premtuat dhe dhëna shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës”, thuhet në urdhër-arrestin e prokurorisë.