Site icon Telegrafi

Arrestimi i Jurgis Çyrbes, SPAK njoftim zyrtar: Ish-deputeti komunikoi me personazhe të botës së krimit

Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje të hollësishme mbi akuzat që rëndojnë ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.

Sipas SPAK, në këmbim të votave në zonë, Çyrbja i siguronte Altin Hajrit, person i shpallur në kërkim, informacione për të shmangur kapjen e tij.

“Ka rezultuar se personi nën hetim J. Ç., në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka pasur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim A. H., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale. I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal”, thotë SPAK.

Nga ana tjetër personi nën hetim A. H., në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga i hetuari J.Ç., i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votues në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal”.

Exit mobile version