Telegrafi

Arrestimi i Garës, Lipovicës dhe Muharremit, Prokuroria Speciale jep detaje: Dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare  

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre persona, Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi. 

Të arrestuarit janë dy zyrtarë të Ministritë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretarin Irfan Lipovica.

Gjatë ditës është arrestuar edhe Ridvan Muharremi, i cili dyshohet për “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Lexo po ashtu Bastisje në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë

Muharremi në media është raportuar si person i afërt me kryeministrin Albin Kurti.

“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’, si dhe ‘Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit. /Telegrafi/