Site icon Telegrafi

Arrestimi i drejtorit të KEK-ut rikthen përplasjet pozitë-opozitë, ashpërsohet diskursi politik

Arrestimi i drejtorit të KEK-ut që është ndërmarrje publike, ka rikthyer në Kosovë përplasjet pozitë –opozitë, derisa nuk kanë mbetur pa etiketime edhe organet e drejtësisë. Opozita arrestimin e sheh si dëshmi të abuzimit të qeverisë në sektorin e energjisë derisa nga pozita ngjarjen e shohin si tendencioze për njollosjen e qeverisjes.

Mesditën e së mërkurës Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet tjera shtetërore filloi një aksion të gjerë duke bastisur zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe dy banesa private që rezultuan të jenë në pronësi të Nagip Krasniqit – drejtor i KEK-ut.

Pas aksionit, Prokuroria Speciale njoftoi se është arrestuar Nagip Krasniqi nën dyshimet për tri vepra penale.

Sipas Prokurorisë, drejtori i KEK-ut dyshohet për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit dhe konflikt interesi.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, u tha në njoftim.

Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka nxitur reagime nga drejtuesit e subjekteve politike opozitare dhe kundër reagime nga eksponentë të shumicës parlamentare.

Krerët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë thënë se kjo është dëshmi e abuzimit të Qeverisë në sektorin e energjisë.

“Arrestimi i sotëm i kryeshefit të KEK-ut, ish-drejtuesit të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi, është dëshmia më e mirë e asaj që e kemi thënë për muaj të tërë – se Qeveria Kurti, abuzimet më të mëdha i ka bërë pikërisht në sektorin e energjisë, përmes skemave korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit absolut që e kanë instaluar në këtë sektor”, deklaroi kryetari i PDK-së Memli Krasniqi pak pasi u arrestua drejtori i KEK-ut.

Kreu i LDK-së nga ana tjetër ka kërkuar përgjegjësi politike për mafinë energjetike.

Lexo po ashtu Akuzon Dejona Mihali: Prokuroria Speciale e Blerim Isufajt në veprim

“Kemi kërkuar në vazhdimësi shkarkimin e gjithë udhëheqjes së KEK-ut – militantë partiak të vendosur nga partia në pushtet – pikërisht për shkak të një skandali si ky që kishte nisur nga korriku i vitit 2022. Ata gjetën mbrojtjen vetëm sepse ishin të partisë. Të njëjtit, pas dëmeve milionëshe ndaj vendit, ndodhen sot në pranga të Policisë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Derisa i pari i AAK-së ishte më i shkurtër në reagimin e tij për ngjarjen.

“Kjo çfarë po ndodhë në KEK, është dëshmia më e mirë se lidhjet e shkurtra janë korrupsioni më i keq!”, u deklarua Haradinaj.

Akuza si të opozitës në drejtim të drejtorit të KEK-ut erdhën edhe nga shoqëria civile, derisa e cilësuan Krasniqin kuadër të Vetëvendosjes.

Ehat Miftaraj nga IKD-ja ka deklaruar se edhe pse është faze e hershme e procedurës penale në rastin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e të njëjtit, “është fakt se i njëjti ka dalë nga akademia e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Por nga ana tjetër, reagime të ashpra ka pasur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët akuzojnë organet e drejtësisë për arrestime të urdhëruara.

Ata e konsiderojnë arrestimin e Krasniqit si pjesë e luftës politike kundër Qeverisë.

Dejona Mihali, aktivistja dhe koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje ka sulmuar Prokurorinë Speciale duke thënë se do të shihen shumë urdhra këto javë nga ky institucion i drejtësisë.

Lexo po ashtu Arrestohet Nagip Krasniqi - kryeshef ekzekutiv i KEK-ut

“Do të shihni këto javë e muaj shumë urdhra nga Prokuroria Speciale. Vjet në këtë kohë bën shumë përpjekje. Shumë hetime, shumë vepra të vjetra të aksioneve tona politike, çdo deklaratë të vitit 2020 për ministrat e kthyen në hetim. Pas një viti prapë. Prokuroria Speciale e Blerim Isufajt në veprim”, shkroi ajo në Facebook.

Edhe deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi ka pretenduar se arrestimi i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, është bërë me porosi.

“Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV”, shkroi Rrustemi në Facebook.

Deputeti tjetër i LVV-së, Arbër Rexhaj, ka thënë se opozita ka shprehur një tendencë pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, për ta lidhur ngjarjen me emrin e Martin Berishës.

“Ajo që po them unë është se ai ka qenë anëtar i LVV-së dhe e pashë një tendencë që ta lidhin emrin e Martin Berishës dhe emrin Nagip Krasniqit, të krijojnë situata opozitare, të cilat mund të jenë të paqena”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

Në mbrojtje të Krasniqit edhe më i ashpër ka qenë deputeti tjetër Halil Thaçi i cili thotë se është lajm “i mirë” arrestimi i drejtorit të KEK-ut pasi sipas tij ai “edhe mund të jetë vrarë”.

Lexo po ashtu Drejtorit të arrestuar të KEK-ut i përkeqësohet gjendja shëndetësore, i refuzohet dërgimi në QKUK

“Është lajm i mirë kur dëgjova për arrestimin e Drejtorit të KEK-ut, pasi gjithmonë jam frikësuar se do të dëgjojë lajmin mbi atentatin ndaj tij, duke e ditur se sa banditëve ju ka ndalë zhvatjen e KEK-ut”, ka shkruar Thaçi, i cili thotë se Policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurinë e tij, mbase “atentati ndaj tij mund të ndodhë edhe aty në mbajtje”.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, në të kaluarën ka pasur lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Krasniqi ka qenë drejtues i Komitetit për Energji në LVV, derisa në pozitën e kryeshefit të KEK-ut ishte zgjedhur në prill të vitit 2021.

Komiteti për energji sipas statutit të Lëvizjes Vetëvendosje është organ këshillues i partisë.

“Sot, nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Besnik Bislimi, drejtuesi i Komitetit për Energji, z. Nagip Krasniqi dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti pritën në takim një delegacion të nivelit të lartë nga Millennium Challenge Corporation (MÇ), të kryesuar nga drejtorja menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, znj. Caroline T. Nguyen”, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes të publikuar më 30 tetor 2019./Telegrafi/

Exit mobile version