Kuvendi i Shqipërisë nisi punimet sot në orën 10:00. Në seancën plenare, u krye edhe betimi i dy deputetëve të rinj të Kuvendit të Shqipërisë, Erjon Meka dhe Andrea Mano.
Erjon Meka u betua si zëvendësues i Jurgis Çyrbjas, deputetit socialist nga Durrësi, i cili është arrestuar së fundmi.
Meka u pa të hynte në sallë krah deputetit socialist të Shijakut, Ilir Ndraxhi. Ndërkohë, nga radhët e Partisë Demokratike u betua Andrea Mano, i cili merr vendin e Ervin Salianjit në listën e Korçës, pasi ky i fundit u arrestua pas vendimit të Gjykatës së Apelit për kallëzim të rremë.
Nga ana tjetër, vendi vakante në radhët e socialistëve u krijua pas dorëheqjes së Çyrbjas, i cili u arrestua më 20 tetor. Ai akuzohet për lidhje me një grup kriminal në Durrës, me dyshimet se ka përdorur platformën e koduar Sky ECC për të informuar grupin mbi lëvizjet e organeve ligjzbatuese.