Asamblisti i Vetëvendosjes në Komunën e Suharekës, Liridon Fandaj, është njëri nga 11 të arrestuarit gjatë aksionit të djeshëm të Policisë për keqpërdorime të subvencioneve në Agjencionin për Zhvillimin e Bujqësisë.
Siç bën të ditur policia, të arrestuarit dyshohen se kanë përfituar subvencione përmes dhënies së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Lidhur me këtë, udhëheqësi i Qendrës së VV-së në Suharekë, Salih Zyba, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se së shpejti do të marrin vendim për anëtarin e implikuar në këtë rast.
“Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë me të marrë lajmin për arrestimin e një asamblisti tonë në rastin e ‘Subvencioneve’ është marrë me prioritet me këtë çështje. Qendra do të mblidhet sa më parë dhe konform rregullave dhe statutit tonë do të marrim vendime konkrete dhe adekuate për anëtarin e implikuar në këtë rast”, ka deklaruar Zyba.
Tutje tha se Vetëvendosje nuk do ta amnistojë rastin dhe i ka bërë thirrje gjyqësorit që ta bëjë punën e saj në mënyrë që të zbardhet i gjithë procesi.
“Nuk duam as të paragjykojmë e as të amnistojmë rastin. Subjekti ynë ka qenë dhe mbetet subjekti më i zëshëm kundër keqpërdorimeve me ‘Subvencione’, andaj është esenciale që drejtësia të vihet në vend për secilin rast, për secilin keqpërdorim eventual në sektorin e bujqësisë dhe jo vetëm. Me qeverisjen e re në nivel qendror, gjyqësorit e Policisë iu bëjmë thirrje që të bëjnë punën e tyre në mënyrë që të zbardhet rasti. Askush në Kosovë nuk do të jetë mbi ligjin”, tha Zyba./Telegrafi/