Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë një vizite në Klinë ka thënë se për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ligj-zbatuese duhet të pritet epilogu i rasteve.
Presidentja Osmani këto komente i bëri gjatë një konference për media me rastin e vizitës në Komunën e Klinës, duke iu referuar arrestimeve të së premtes në MINT.
“Komenti im është që për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, ne duhet ta presim epilogun e rasteve. Dhe, në këtë moment, nga informatat që kemi, është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti. Institucionet e kanë punën e tyre”, është shprehur e para e shtetit.
Ndryshe, Policia e Kosovës i ka arrestuar në mëngjesin e së premtes tre persona nën dyshimet për kryerje të veprave “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Dy prej të arrestuarve janë zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. /Telegrafi/