Tre shtetas të Kosovës të martën janë arrestuar nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar në Merdar.
E Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në një prononcim për Telegrafin u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin rrugë alternative për udhëtim.
“MPJD, gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastet nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.
Marrë parasysh zhvillimet e fundit, dhe duke e njohur qasjen jo korrekte të autoriteteve serbe, me qëllim të shmangies të çfarëdo incidenti, MPJD fton qytetarët që të përdorin rrugë alternative për udhëtim”, kanë thënë nga ministria.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi Përparim Kryeziu për Telegrafin ka deklaruar se nga të dhënat e deritanishme fjala është për dy qytetarë nga Komuna e Podujevës, ndërsa për të arrestuarin e tretë ende nuk kanë të dhëna rreth identitetit të tij.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është njoftuar lidhur me arrestimin edhe të tre shtetasve të Republikës së Kosovës nga policia e Serbisë gjatë kalimit në Serbi, në vendkalimin kufitar në Merdar. Nga të dhënat e deritanishme fjala është për dy qytetarët nga Komuna e Podujevës, ndërsa për të arrestuarin e tretë ende nuk kemi të dhëna rreth identitetit të tij”, ka thënë Kryeziu./Telegrafi/