Gjykata e Mitrovicës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj katër personave të arrestuar në Mitrovicën e Veriut, të dyshuar për ofendim dhe sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Lajmi është konfirmuar nga avokati i të dyshuarve, Shyqyri Syla.
Sipas deklaratës së avokatit Syla, Prokuroria kishte kërkuar fillimisht masën e paraburgimit për të dyshuarit, por gjykata vendosi që ata të mbahen në arrest shtëpiak.
“Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘sulm ndaj personit zyrtar’. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore që zgjati bukur shumë, gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar kërkesën e prokurorisë dhe ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak”, tha Syla.
Ai theksoi se të arrestuarit kanë kërkuar falje publike, poashtu kanë pranuar që i kanë fyer zyrtarët policorë por jo edhe që i kanë sulmuar.
Ndërkohë, që nga ora 10:00 e paradites, një grup qytetarësh të komunitetit serb kanë protestuar para hyrjes së Gjykatës, duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar.
Megjithatë, gazetarja e Telegrafit Blinera Mehmeti e cila po qëndron në veri, ka raportuar se pas vendimit të gjykatës, protestuesit janë shpërndarë të qetë.
Lidhur me protestën, nuk është raportuar ndonjë incident./Telegrafi/