Telegrafi

Aro Muric rikthehet nga lëndimi dhe bën disa pritje të jashtëzakonshme ndaj Besiktasit

Arijanet Muric është rikthyer në portë pas lëndimit javën e kaluar në përballjen me Rizespor.

Portieri kosovar mungoi edhe në ndeshjen e Kupës së Turqisë që Adana Demirspor e humbi 2-1 në udhëtim te Alanyaspor.

Por në derbin ndaj Besiktas, gardiani i Kosovës është rikthyer për të zhvilluar një tjetër ndeshje të madhe, ku si gjithmonë këtë edicion ishte protagonist me pritjet e tij fantastike.

Aro u paraqit në ndeshje me kapelë mbrojtëse, pasi javën e kaluar kishte pësuar lëndim në kokë.

Adana Demirspor ka barazuar 1-1 me Besiktasin, në një takim ku skuadrës vendase iu anuluan dy gola nga VAR.

Gjiganti turk nga Stambolli pati disa raste të mira shënimi, por Muric bëri pritje të mëdha duke konfirmuar formën e jashtëzakonshme që po kalon këtë edicion në elitën e futbollit turk.

23-vjeçari bëri pesë pritje ndaj Besiktas, teksa mori notën të lartë 7,4 e cila ishte ndër më të lartat në këtë takim. /Telegrafi/