Manchester United pritet të bëjë një ofertë të përmirësuar për të nënshkruar me Marko Arnautovic, edhe pse Bologna e konsideron reprezentuesin austriak ‘të pashitshëm’.
33-vjeçari u kthye në Serie A verën e kaluar, duke u transferuar në “Stadio Dall’Ara” në një marrëveshje prej tre milionë euro nga Shanghai Port.
Djajtë e Kuq kishin një ofertë prej 8 milionë eurosh të refuzuar nga Rossoblu javën e kaluar, por pritet të bëjnë një ofertë të re në orët në vijim.
Bologna nuk është e gatshme ta shesë ish-sulmuesin e Interit, por Arnautovic duket se dëshiron të kalojë në “Old Trafford”.
“Nuk është çështje parash, ai është i pashitshëm për atë që përfaqëson për ne. Ne duam të ecim përpara me të sepse besojmë se ai mund të bëjë më mirë dhe të na ndihmojë të rritemi”, deklaroi drejtori i Bolognas, Marco Di Vaio të hënën.
“Ai është gjithmonë i pari në stërvitje për të nxitur të tjerët, ai nuk ka çmim”.
Arnautovic luajti plot 90 minuta gjatë fitores së Bolognas ndaj Cittadella në Kupën e Italisë mbrëmë. Agjenti i tij ka konfirmuar interesimin nga Djajtë e Kuq.
“Është e vërtetë që ka një ofertë nga një klub i njohur”, deklaroi vëllai dhe agjenti Danijel Arnautovic për Kurier të dielën.
“Jam në kontakt me Bolognan për të parë nëse mund të realizohet”.
Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, thuhet se është i dëshpëruar për të nënshkruar me sulmuesin austriak.
Ata punuan së bashku në Twente kur trajneri holandez ishte asistent i Steve McClaren. Arnautovic shënoi 14 gola në 41 paraqitje në 2008-09 përpara se të bashkohej me Interin e Jose Mourinhos. /Telegrafi/