Telegrafi

Armend Muja shpall fitoren e kandidatëve të LVV-së në Leposaviq e Mitrovicë të Veriut

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në Leposaviq dhe në Mitrovicë të Veriut, në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në veri të Kosovës.

Deputeti i LVV-së Armend Muja ka dhënë përqindjet për fitoren e kandidatëve të LVV-së  në dy komuna të veriut të Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje, kandidati Lulzim Hetemi fiton mbi 70% të votave në Komunen e Leposaviqit”.

“Lëvizja Vetëvendosje, kandidati Erden Atiq fiton mbi 65% të votave në Komunën Veriore të Mitrovicës!”, njoftoi Muja.

Ndërsa më vonë ishte kandidati i Vetëvendosjes, Erden Atiq, i cili ka shpallur fitoren sipas tij me mbi 65% të votave në këtë komunë.

Ai në një dalje publike ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithë banoreve edhe të atyre që e votuan e edhe i atyre që nuk e votuan.

“Kena fitu. Unë si kandidat kam dalur fitues i këtyre zgjedhjeve. I falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar dhe ata që nuk më kanë votuar, do të jem kryetar për të gjithë. Na presin punë të mëdha përpara. I ftoj qytetarët që të kenë besim në institucionin e komunës me mua në krye”, tha Atiq.

Ndryshe, në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë votuar 1557 qytetarë nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Kjo u bë e ditur në konferencën e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme lokale përfundoi pa incidente.

Në përgjithësi, dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind.

Zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe./Telegrafi/