Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar përplasjen Taulant Xhaka-Gianni De Biasi.
Ai ishte i ftuar në Top Story në Top Channel, ku ka treguar nëse Taulanti do të dënohet.
“Xhaka nuk është aktivizuar dhe ka qenë i pakënaqur. Ai nuk ka ikur pa leje nga grumbullimi. Ka njoftuar trajnerin, i ka thënë që kërkon të largohet dhe të vazhdojë stërvitjen me ekipin e tij në Zvicër”.
“De Biasi e ka lejuar të ikë dhe përderisa trajneri nuk thotë që ka thyer disiplinën, nuk besoj se duhet të merret ndonjë masë për lojtarin”, tha Duka.
Taulant Xhaka kishte reaguar pas lënies si rezervist në ndeshjen me Italinë dhe mos futjen e tij në lojë.