Site icon Telegrafi

Ariu në Parkun e Gërmisë, rojtarët ende nuk kanë rastisur në gjurmët e tij

ilustrim

Një ari, për të cilin thuhet se është parë në shtigjet e parkut të Gërmisë, u ka nxjerrë shumë telashe rojave të pyllit. Ariu, në kërkim të të cilit janë vënë rojtarët nuk është gjetur ende, ndërkohë që Komuna e Prishtinës ka mbyllur parkun për shkak të rrezikut për frekuentuesit.

Në orët e pasdites u dha një informacion nga Policia e Kosovës se në shtigjet e Parkut të Gërmisë nga një qytetar është parë një ari, i cili mund të jetë i rrezikshëm për qytetarët. Rojtarët menjëherë pas marrjes së informacioni kanë dalë në kërkim të ariut, por ende nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjurmë të tij.

Drejtoresha e parqeve, Fatime Hajdari, përmes telefonit tha për KosovaPress se disa qytetarë kanë thënë se afër liqenit të Badovcit është parë një ari, ndërsa më pas kanë marrë si informacion se i njëjti është parë edhe afër shtigjeve të Parkut të Gërmisë.

“Kanë kontaktuar në zyrën zyrtare të komunës të cilën e kanë konfirmua që disa qytetarë kanë pasur pretendime që ari t’u lëvizë afër liqenit të Badovcit e pastaj sot gjatë ditës e kemi marrë një informacion të dytë përmes qytetarëve që pretendojnë se e kanë pa një ari shtigjeve të epërme pak më lart se Vila Gërmia pjesa e shtigjeve që është për vrap. Pastaj për shkak të pasigurisë që ka lind e kemi kontaktua zyrtarët e pyllit të arinjve për të konfirmuar mos është njëri prej arinjve që strehohen aty. Aty kemi kuptuar që nuk është ariu që ka mund të dalë prej pyllit të arinjve, por është ari që ka mund të dalë prej shtigjeve në malin e Gollakut,” ka thënë Hajdari.

Për më tepër, ajo ka bërë të ditur se Drejtoria e parqeve ka kërkuar ndihmë edhe nga Ministria e Mjedisit, e që kjo e fundit u ka kthyer përgjigje se ditën e nesërme do të del një ekip për lokalizimin e ariut.

“Fillimisht rojtarët e pyllit që janë përgjegjës për parkun e gërmisë janë angazhuar që ta konfirmojnë më shpejt si informacion që të paktën të lokalizojmë hapësirën në të cilën është duke lëvizur, por të njëjtit nuk kanë hasur në gjurmë ose nuk e kanë parë, edhe pse vlen të ceket që punëtorët, për shkak të vikendit, sot kanë qenë edhe më të pakët në numër. Ne si drejtori kemi kërkuar edhe asistencë ose ndihmë prej ministrisë, do të thotë departamentit atje edhe emergjencave. Ata thanë që nesër gjatë ditës së bashku një ekip do të dalë për lokalizimin e ariut edhe që të paktën ta evitojnë si rrezik dhe ta përcjellin, në mënyrë që të del edhe të vazhdojë në zonat që janë më të përshtatshme për autoritetin e saj,” tha ajo.

Qytetari Halil Sylaj, i cili kishte zgjedhur këtë të diel të shëtisë në Gërmisë, tregon për KosovaPress se është një shëtitës i rregullt i parkut dhe se që nga dalja në pension del shumë shpesh duke bërë 15 deri 16 kilometra, e që nuk ka ndodhur të rastisë ndonjëherë ndonjë ujk apo ari.

“Unë do të thotë e kam dëgjuar mesazhin që e ka dhënë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, por unë më së paku 15-16 kilometra i bëj nëpër pyllin e Gërmisë. Sa dola poshtë në këtë pikë që jemi dhe nuk kam pasur shanse ta shoh, bile shkoj deri te pylli i ariut, asnjëherë nuk më ka dalë. Unë jam shëtitës i rregullt. Që pesë vjet pasi që kam dalë në pension kurrë nuk më ka ndodhur të dalë ndonjë ujk apo ari. Tash nuk e di kush e ka pa, por unë vetë lëviz pothuajse prej orës 10:00 deri në orën 16:00. Ka edhe plot njerëz që lëvizin sikur unë, disa me biçikleta, disa këmbë, por asnjëherë nuk kam dëgjuar diku që ka ndodhë. E tash nuk e di si ka ardhur ky lajm,” tha ai.

Edhe qytetari tjetër, Afrim Rrahmi, që po shëtiste në parkun e Gërmisë, thotë për KosovaPress se lajmin për praninë e ariut e ka dëgjuar nga kryetari i Prishtinës, por që atij nuk i kishte rënë ta rastisë.

“Jo, pa nuk e kemi, por punëtorët e artit, kulturës kanë thënë që ka ikur. Në atë restorantin ku pimë kafe (Freskia) d.m.th kur ecim në atë restorant ka dalë prej aty edhe jemi të informuar dhe është e sigurt qysh ka thënë Shpend Ahmeti, por ajo ka ikur prej njerëzve. Nuk ka merr mendja se afrohet më te njerëzit, sepse ka qëndruar për shumë kohë e mbyllur dhe mezi s’ka pritur të tërhiqet nga aty,” tregon ai.

Komuna e Prishtinës ka treguar që Parku i Gërmisë do të jetë i mbyllur deri në ndonjë njoftim tjetër për shkak të ndonjë rreziku potencial, si dhe kërkon nga qytetarët që të mos frekuentohet kjo pjesë.

Exit mobile version