Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina është ndarë i lumtur me barazimin në udhëtim te Gjilani, teksa nuk ka hezituar t’i urojë lojtarët e tij për lojën e mirë.
Arbëria ka marrë një pikë shumë të vlefshme në udhëtim te Gjilani, pasi kanë barazuar me rezultat 1-1 në kuadër të javës së 23-të në Superligën e Kosovës.
Ky barazim e ka bërë të lumtur trajnerin e klubit nga Dobraja, Morinën, i cili pas ndeshjes tha se futbollistët po e meritojnë një gjë të tillë që nuk po dorëzohen në asnjë moment.
“Jam i lumtur për këta djem të cilët pavarësisht presionit që kanë, nuk po dorëzohen dhe po luajnë futboll shumë të mirë dhe këtë nuk po e them unë, por ata që e ndjekin vazhdimisht Superligën”, ka thënë fillimisht Morina pas ndeshjes.
“Jam i lumtur për ta sepse mundi po ju shpaguhet dhe kjo është me rëndësi”.
“Ndeshja ishte me ritëm të lartë edhe pse nuk pati raste të shumta nga dy skuadrat”.
“Gjilani ka një skuadër me eksperiencë dhe prandaj duhet t’i gëzohemi kësaj pike, e cila ka vlerë të madhe për ne”, përfundoi trajneri i Arbërisë. /Telegrafi/