Gjykata e Arbitrazhit ka marr vendim lidhur me ankesën e ish blerësit të Minierës së Goleshit, “IMING D.O.O.”, duke i konsideruar të pabazuara, ndërsa po ashtu kërkesa e paditësit për kompensim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit është refuzuar si e pabazuar, referuar dokumenteve të cilat i ka siguruar Telegrafi.
Me këtë vendim Arbitrazhi ka hedhur poshtë ankesën, edhe pse blerësi pretendonte se gjatë procesit të tërheqjes së aksioneve nga ana e Bordit të AKP-së, i janë bërë një varg shkeljesh.
Ndryshe, blerësi kishte paraqitur pretendimet edhe tek Kushtetuesja se Bordi i AKP-së, në shtator të vitit 2014, disa muaj para se t’i skadojë afati i përmbushjes së zotimeve ka marrë vendim që kjo minierë e privatizuar me metodën e spin –off special të kthehet nën menaxhim të AKP-së.
Blerësi, Hysni Zogaj, po ashtu në vazhdimësi e kishte kundërshtuar vendimin e bordit të AKP-së, pasi sipas tij vlera e investimeve ishte tejkaluar.
Por vendimi i Bordit të AKP-së për tërheqje të aksioneve është vlerësuar i drejtë edhe nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila kishte refuzuar ankesën e ish blerësit.
Zogaj e kishte akuzuar AKP-në se e ka furnizuar edhe Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme me informata të gabuara.
Ndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit, me një vendim i kishte marrë fabrikën nën menaxhim me arsyen se nuk i ka përmbushur kushtet e kontratës.
Disa nga pikat e vendimit të Arbitrazhit janë këto:
Pretendimi i paditësit refuzohet si e pabazuar
Pretendimi i paditësit për shpronësim refuzohet si e pabazuar
Kërkesa për kompensim nga ana e paditësit në vlerë prej 18,121,690. 17 refuzohet si e pabazuar
Paditësi është i obliguar që të paguajë shpenzimet gjyqësore në shumën prej 342,954.67 euro.
Telegrafi ka provuar të marr përgjigje nga AKP, por që nuk janë përgjigjur në Telegrafin. /Telegrafi/