Telegrafi

Arbër Hoxha, njeriu i momentit – ai u ka shënuar të gjithë gjigantëve kroatë, ndërsa beson që forma e tij do të vazhdojë të jetë në rritje

Arbër Hoxha është njeriu i momentit në kampionati kroat, pasi ka shkëlqyer në me fanellën e Slaven Belupos, në xhirot e fundit me gola dhe paraqitje të jashtëzakonshme.

Ai në gjashtë paraqitjet e fundit ka pesë gola dhe një asistim dhe emri i tij, duke arritur tu shënojë edhe klubeve të mëdha si Dinamo Zagreb, Hajduk Split dhe Rijeka.

Ai është lidhur së fundmi me Kombëtare e Shqipërisë për një ftesë të mundshme, pasi kuqezinjtë vuajnë shumë në pozitën ku pikërisht luan Hoxha.

Sulmuesi i krahut nuk ka dashur t’i komentojë zhvillimet e fundit dhe fjalët se do të kalojë të Shqipëria, duke ia lënë kohës.

Në një intervistë për Telegrafin, ai ka folur për gjithçka tjetër, duke nisur nga forma e mirë që po kalon me Slaven Belupon në nivelin e parë të futbollit kroat.

“Të them të drejtën e kam pritur momentin tim dhe e kam ditur që do të vije. Te klubi i parë (Lokomotiva Zagreb) ku ishte, nuk e kisha rastin të tregohem, ndërsa këtu ku jam i kam të gjitha dhe rezultatet po vijnë”, ka thënë fillimin Hoxha për Telegrafin.

Në javën që sapo lamë pas, Hoxha ka shënuar një ndër golat më të bukur në karrierën e tij kundër Rijekës, një gol që nga shumë njohës u cilësua i denjë për çmimin ‘Puskas’, por Arbëri më modestinë që e karakterizon, tha se ka shumë gola të tjerë të bukur dhe edicioni është i gjatë.

“Ishte një gol i bukur ai ndaj Rijekës, ndër më të mirët në karrierën time. Sa i përket golit më të bukur dhe i denjë për çmimin Puskas, ka edhe shumë ndeshje deri në fund, ndërsa ka edhe gola shumë më të mirë se ky i imi”, nënvizoi 24 vjeçari.

Forma e mirë në Kroaci, do të bëjë që shumë klube nga kampionate më të mëdha të interesohen për të riun nga Kosova, por Hoxha thotë se për momentin është i fokusuar vetëm te Slaven Belupo.

“Largimi? Nuk e kam menduar atë pjesë. Jam i fokusuar ta jap maksimumin dhe të vazhdoj me këtë formë që e kam aktualisht. Ka kohë për afatin kalimtar. Më e rëndësishmja për momentin është të mos kem lëndime dhe të vazhdoj kështu, të tjerat vijnë”, deklaroi Hoxha.

Në 13 ndeshje, Arbër Hoxha ka pesë gola dhe një asistim, duke qenë pjesë e top shënuesve më të mirë në kampionat, ndërsa në formacionin e javës është shumë shpesh.

“Nuk i kam caktuar vetit ndonjë shifër të golave se sa mund t’i arrij. Besoj që më e rëndësishme do të ishte nëse i kapim garat evropiane me Slaven Belupon dhe të vazhdojmë me këtë formë” shtoi Hoxha.

Slaven Belupo është e katërta me 23 pikë, një pozitë që nuk e kanë pasur për një kohë të gjatë.

Hoxha edhe pse po luan në Kroaci dhe shumë shpejt mund ta shohim në një kampionat më të madh, ai vazhdon ta shikojë me endeje Superligën e Kosovës, duke folur edhe për favoritët që i sheh këtë vit në garë për trofe.

“Po çdo ndeshje të Superligës e përcjelli me kënaqësi, një kampionat që po rritet dhe për cilësi as që dua ta diskutoj, ka cilësi të jashtëzakonshme. Sa i përket kampionatit, edhe pse ka shumë ndeshje për tu zhvilluar, unë si favorit i shoh Prishtinën, Ballkanin dhe Dritën”, përfundoi Hoxha.

Hoxha në Kosovë ka bërë karrierë te Istogu, Besa, Prishtina dhe Ballkani./Telegrafi/