Arben Vitia, kandidat për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje në një intervistë në “Përballje” në Telegrafi, ka folur për kandidaturën e tij, projektet dhe synimet që ai ka nëse zgjidhet si kryetar i kryeqytetit në garën e balotazhit që do të mbahet me 14 nëntor 2021.
Vitia nëse fiton garën, thotë se do ta ketë një ekip të jashtëzakonshëm profesionistësh në qeverisje.
“Ekip i jashtëzakonshëm me integritet të jashtëzakonshëm të dëshmuar në profesionet e tyre për shumë vite. Sot nuk mund t’i përmendi emrat e tyre pasi jemi dakorduar të mos behën publike emrat derisa të fillojmë punën. Janë kandidatë të jashtëzakonshëm në profesionet e tyre. Prej dy vitesh kam filluar diskutimet me ta”, tha ai në “Përballje”, përcjell Telegrafi.
Duke folur për garën e balotazhit, kandidati i LVV-së thotë se ende nuk ka ndonjë zhvillim sa u përket koalicioneve.
“Ende nuk kemi diskutuar për koalicione. Natyrisht se në Lëvizjen Vetëvendosje koalicionet bëhen me miratimin e Këshillit të Përgjithshëm. Ne kemi qenë shumë të zënë në takime me qindra qytetarë. Kemi pasur takime me kategori të caktuara sociale, biznesore e jo vetëm dhe akoma nuk e kemi diskutuar këtë çështje. Besojmë se do të diskutohet kur t’i vjen radha”, deklaroi ndër të tjera Vitia./Telegrafi/