Në mesin e kritereve për liberalizim të vizave për Kosovën, Komisioni Evropian ka parashtruar edhe demarkacionin me Malin e Zi. Kështu thuhet në raportin e paraqitur nga Komisionit i BE-së.
Komisionari për Migracion, Punë të Brendshme dhe shtetësi, Dimitris Avramopoulos ka kërkuar nga deputetët e Kosovës që ta bëjnë sa më shpejt ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvendin.
Njëjtë ka deklaruar edhe kryeministri i Republikës, Isa Mustafa, i cili ka thënë se demarkacioni i cili po kundërshtohet nga opozita është kërkesë e BE-së për lëvizje të lirë.
Mirëpo i këtij mendimi nuk është deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
Ai në një intervistë për “Indeksonline” ka thënë se Demarkacioni me Malin e Zi nuk duhet të jetë kusht për heqjen e vizave për kosovarët.
Një klasë politike po e trajton si kusht këtë çështje, mirëpo, sipas Gashit, nuk duhet të jetë si e tillë.
“Nuk mendoj që është kusht kryesor demarkacioni dhe nuk do të jetë kush kryesor. E rëndësishme është që kufijtë e Kosovës të përcaktohen por demarkacioni si i tillë nuk mendoj se është kusht për liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.
Gashi ka folur edhe për mundësinë e riformatizimit të Qeverisë së Republikës.
Ai ka thënë se partnerëve e koalicionit (PDK-LDK) mund ta vlerësojnë më mirë nëse duhet apo jo të ketë ndryshime të ministrave apo anëtarëve të tjerë të kabinetit Mustafa.
“Partnerët e koalicionit në vazhdimësi munden me vlerësu gjendjen politike në vend dhe stabilitetin politik të koalicionit dhe të marrin veprime për me stabilizu koalicionin, nëse ata e vlerësojnë se është e domosdoshme është në autoritetin e tyre me marrë veprime të tilla”, është shprehur Gashi.