Arabia Saudite është e gatshme të shpenzojë një mal me para në mënyrë që Tyson Fury të boksojë në vendin e tyre në trilogjinë me Deontay Wilderin ose përballjen britanike me Anthony Joshuan.
Katër anëtarë të familjes mbretërore saudite janë parë në fundjavën e kaluar në Las Vegas, më saktësisht në MGM Arena, aty ku boksuan The Gypsy King dhe Bronze Bomber.
Britaniku i shkaktoi humbjen e parë në karrierë amerikanit, mirëpo edhe i mori titullin WBC në peshat e rënda.
Princi Khaled thuhet se dëshiron që përballja e radhës e Furyt të jetë me Joshuan, derisa po insiston te promovuesi i këtij të fundit Eddie Hearn që të aranzhojë meçin për titullin e kampionit të unifikuar.
Nga Arabia Saudite bëhet e ditur se nga ajo përballje janë të gatshëm që të ofrojnë 500 milionë euro, vetëm që të zhvillohet në vendin e tyre.
AJ i riktheu titujt në dhjetor të vitit të kaluar në rimeçin ndaj Andy Ruizit, ndërsa tani po e kërkon përballjen me bashkëkombësin e tij.
Mirëpo, Wilder ka bërë të ditur se dëshiron të zhvillojë trilogjinë me Furyn, që mund të realizohet në fund të këtij viti. /Telegrafi/