Site icon Telegrafi

Apostolova: Emërimi i kriminelëve të luftës në pozita të larta qeveritare është zhgënjyese

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova ka komentuar publikimin e Raportit të Progresit për Kosovën, nga Komisioni Evropian (KE).

Ajo theksoi se bazuar në raport ka fusha ku është bërë përparim, por ka shumë fusha ku nevojitet ende progres.

Ajo po ashtu tha se Qeveria ka treguar përparim në përmbushjen e pakos legjislative të miratuar në shkurt, në administratë publike dhe reformimin e pagave

“Më lejoni të jap përgëzimet. Me pakon e sotme të zgjerimit, Komisioni Evropian konfirmon zotimin për zgjerim, por gjithashtu kemi konfirmuar se nuk ka rrugë të shkurtë për në BE, por ka ende boshllëqe. Ky raport, në krahasim me atë vitit të kaluar, ofron një përmbushje më të madhe. Është një vlerësim i drejtpërdrejtë i Kosovës. Ai tregon se i jep kredi progresit të arritur. Qeveria ka treguar përparim në përmbushjen e pakos legjislative të miratuar në shkurt, në administratë publike dhe reformimin e pagave. Përmirësime janë bërë në financa dhe kjo tregon se Kosova ka kapacitet për të përmbushur reformat. Tani është koha që të kemi rezultate të prekshme, për të pasur një ekonomi më të fortë dhe gjyqësor”, u shpreh ajo.

Siç tha Apostolova shoqëria civile po luan një rol shumë të madh në jetën publike.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, theksoi se Kuvendi i Kosovës është duke u minuar nga një mjedis i organizuar politik.

“Për fat të keq, raporti i Kosovës në frymën e bilancit dhe sinqeritetit pasqyron sfidën e vazhdueshme me të cilën Kosova përballet. Funksionimi i Kuvendit minohet nga një mjedis i organizuar politik, mungesa  e shpeshtë e kuorumit, etj”, potencoi ajo.

Qeveria e Kosovës, siç tha Apostolova nuk është në linjë me ligjin dhe frymën e saj.

“Taksa minon përpjekjet rajonale dhe nuk është e qëndrueshme. Shpresoj që Kosova ta kaloj këtë pengesë”, ka thënë ajo.

Apostolova po ashtu foli edhe për emërimet politike në poste të larta në Qeverinë e Kosovës.

“Emërimet e pamerituara në baza politike kanë rezultuar në shumë raste. Përndryshe emërimi i kriminelëve të luftës në pozita të lartë qeveritare është zhgënjyese dhe kundër vlerave evropiane”, tha ndër të tjera Apostolova, duke shtuar se nevojitet më shumë angazhim politik në cilësinë e arsimit dhe boshllëqeve në treg. /Telegrafi/

Exit mobile version