Kosova javën që po lëmë pas aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës, hap ky që u konsiderua shumë i rëndësishëm për shtetin.
Kosova ka marr mbështetje të fuqishme në këtë drejtim nga Gjermania, Britania e Madhe. E kohë më parë gjatë një vizite në Kosovë, mbështetje për anëtarësim në KiE ka dhënë edhe presidenti i Letonisë, Egils Levits.
Po javën që po lëmë pas u bë e ditur marrëveshja Kompakt ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës Amerikane “Sfidat e Mijëvjeçarit” ku kanë finalizuar në Uashington marrëveshjen me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, që Prishtina thotë se do të ndihmojë me pavarësinë e sistemit energjetik të vendit.
Ndërkaq, të premten, më 13 maj u realizua një takim në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por që nuk u arrit marrëveshje për targat e automjeteve.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Qeveria e Kosovës të enjten në një mbledhje miratoi nismën për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
E aplikimin e Kosovës për tu bërë pjesë e këtij institucioni ndërkombëtar e dorëzoi po të enjten ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovës në KiE, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ishte shprehur Gërvalla përmes një video-mesazh.
Aplikimin e Kosovës për tu bërë pjesë e KiE-së e kanë konfirmuar për Telegrafin edhe nga ky institucion.
Zëdhënësi i KiE-së, Daniel Holgten përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se aplikimi është pranuar dhe i njëjti i dërgohet Komitetit të Ministrave.
“Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i dërgohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, ka thënë të enjten Holgten për Telegrafin.
Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.
Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtët e Njeriut. Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës.
Procedurat kërkojnë që një shtet anëtar i Këshillit të Evropës propozon anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave.
Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.
Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë.
Sipas njohësve të integrimeve evropiane, gjasat që Kosova të marrë përgjigje pozitive për anëtarësim në këtë institucion janë reale.
Kosova ka marrë mbështetjen e dy shteteve të fuqishme, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE), ndërkaq Franca ka theksuar se vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran, por ka potencuar prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit.
Qeveria e Kosovës dhe MCC finalizuan marrëveshjen Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh
Qeveria e Kosovës dhe Korporata Amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit kanë finalizuar në Uashington një marrëveshje Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, që Prishtina thotë se do të ndihmojë me pavarësinë e sistemit energjetik të vendit.
“Sot, MCC dhe Qeveria e Kosovës përmbyllën një javë produktive negociatash për një marrëveshje kompakte të propozuar prej 236.7 milionë dollarësh, e krijuar për të forcuar Kosovën në sektorin e energjisë”, thuhet në njoftimin e MCC-së në Twitter.
Këtë njoftim e ka shpërndarë në llogarinë e saj ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka falënderuar MCC-në për pritjen dhe punën e zellshme.
“Ishte një javë intensive, por po aq emocionuese dhe e këndshme – një dëshmi e partneritetit dhe miqësisë unike midis vendeve tona dhe njerëzve tanë”, ka shkruar Rizvanolli.
Ndryshe, ky program do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë, i cili parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.
Today, MCC & the #Kosovo Government concluded a productive week of negotiations for a proposed $236.7M compact agreement designed to strengthen Kosovo’s ??. #energy sector.
For more info about this partnership, visit: https://t.co/0ld4e6Fkfh pic.twitter.com/fgeFRMssxq
— Millennium Challenge (@MCCgov) May 13, 2022
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli që kryesoi ekipin e negociatave të Kosovës tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se 202 milionë dollarë janë grant nga MCC-ja, ndërsa pjesa tjetër bashkëfinancim nga qeveria e Kosovës.
Ajo tha se programi ka dy projekte.
“I pari ka të bëjë me ndërtimin e kapaciteteve për akumulim të energjisë. Parashohim që të ndërtohen kapacitet për 340 megavat në orë akumulim të kësaj sasie të energjisë e cila do të jetë në momentin kur ndërtohet kapaciteti më i lartë për akumulimin e energjisë për kokë banori në Evropë. Është projekt mjaft inovativ i cili sheh drejt së ardhmes e cila do të ketë në njërën anë pavarësimin energjetik dhe integrimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë në sistemin tonë energjetik, pjesë në të cilën momentalisht po çalojmë, mirëpo këtë synojmë ta ndryshojmë me strategjinë e re”, tha ajo.
Ministrja Rizvanolli tha se projekti tjetër brenda programit ka të bëjë me zhvillimin e aftësive punëtore për t’u përshtatur me nevojat e një tregu dinamik dhe inovativ, si edhe përfaqësimin më të mire të grave në sektorin e energjisë.
Projekti synon që përmes baterive, energjia e prodhuar në një kohë të caktuar të akumulohet në mënyrë që ajo të shfrytëzohet më vonë në orët e ditës kur çmimi i energjisë është më i lartë dhe kërkesa është më e lartë.
“Që do të thotë se kjo në një masë do ta reduktojë nevojën për import çka është shumë me rëndësi në kohët që po jetojmë, kur çmimi i importit të energjisë është rritur shumë”, tha ajo.
Marrëveshja pason një periudhë të gjatë debatesh pas vendimit të muajit shtator të vitit të kaluar të qeverisë suaj për t’u tërhequr nga projekti i propozuar nga kjo korporatë, i cili parashihte lidhjen e Kosovës me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut.
Rizvanolli thotë se edhe në dritën e zhvillimeve të reja, vendimi ishte i duhuri pasi në mungesën e informatave, ishte përcaktuar që granti të përdorej për qëllim tjetër.
“Ajo derë nuk është mbyllur kurrë, që të jemi të qartë nuk është se është refuzuar projekti, është vendosur e të tjera, thjesht duke parë mungesën e infomatave, por nga ana tjetër edhe duke i parë zhvillimet e tregut, është vendosur të shtyhet për më vonë. Ndërkohë situata vetëm është ndërlikuar dhe përdorimi i gazit është bërë më i diskutueshëm, prandaj jemi të lumtur që e morëm atë vendim vitin e kaluar”, tha ajo.
Ministrja Rizvanolli thotë se synimi afatgjatë i qeverisë së Kosovës është dekarbonizimi i sektorit dhe integrimi sa më shumë, i nivelit sa më të lartë të burimeve të ripërtërishme të energjisë. Por ajo e pranon se mund të jetë e vështirë shkëputja e shpejtë nga përdorimi i qymyrit, duke pasur parasysh edhe situatën aktuale në botë.
“Ne jemi të vetëdijshëm që kjo nuk do të bëhet brenda natës. Kapacitetet teknike së pari nuk e lejojnë, e lëre më ato financiare dhe të tjera. Kështu që ne do të duhet të kemi një tranzicion i cili është realist, i planifikuar në afate dhe mënyrë realiste nga qymyri në burime të ripërtëritshme të energjisë dhe pikërisht ky lloj investimi si ky që do të investohet me këtë grant për kapacitetet e akumulimit, është pikërisht investimi i duhur i cili na mundëson ta bëjmë këtë kalim nga qymyri tek burimet e ripërtëritshme të energjisë”, tha ajo.
Nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi për targat e automjeteve
Dialogu mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, në Bruksel, ka përfunduar pa marrëveshje për targat.
Përfaqësuesi i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se në takimin e së premtes nuk është arritur marrëveshje për çështjen e targave të automjeteve.
“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në çështjet e tjera duke përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, ka shkruar Lajçak, transmeton Telegrafi.
Të dy këta kryenegociatorë mbajtën takime me Lajçakun por nuk pati takim të përbashkët mes tyre. /Telegrafi/