Gjykata e Apelit ka marrë vendim ta kthejë në rigjykim rastin ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetit Pal Lekaj dhe ish-deputeteve Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.
Gjykata e Apelit ka marrë vendim ta kthejë në rigjykim rastin ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetit Pal Lekaj dhe ish-deputeteve Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.
Në vendim, thuhet se Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe çështja kthehet në rigjykim.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj të vitit 2021, në mungesë të provave i ka liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe të tjerët, për akuzën e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, është kërkuar kthimi i rastit në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kanë poseduar bombola të gazit lotsjellës.
Në aktakuzë thuhet se “më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, te të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim”.
Me këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton betimiperdrejtesi.