Telegrafi

Apel qytetarëve: Merrni kuponin fiskal, raportojeni naftën me ujë

Konsumatorët, gjatë furnizimit me derivate të naftës nëpër pompat e benzinës në Kosovë duhet të kenë kujdes. Pasi që pika e ngrirjes është deri në – 21 gradë, ata duhet të marrin kuponë fiskalë dhe kur dyshojnë në cilësi t’i drejtohen Inspektoratit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë se sidomos në këto temperatura (deri në – 20 gradë celsius) qytetarët duhet të marrin kuponë fiskalë nëpër pompat e derivateve të naftës.

Kjo për shkakun se nëse ata vërejnë diçka të pazakontë tek nafta që furnizohen, me këtë “dëshmi” mund të drejtohen tek organet kompetente.

Ai ka thënë për Telegrafin se sidomos në sezonin e dimrit naftëtarët duhet që furnizimin e konsumatorëve me karburante ta bëjnë me parametra dimërorë.
“Bëjë apel që qytetarët të marrin kuponin fiskal. Jemi në sezonin dimëror dhe furnizimi duhet të jetë më parametra dimëror. Me -20 gradë celsius. Dhe në qoftë se kanë probleme duhet të drejtohen në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, ka thënë Fadil Berjani.

Ndërkaq kryeinspektori i Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla, ka thënë për Telegrafin se kanë rritur kontrollet nëpër pikat e derivateve.

Sipas, tij deri më tani të gjitha kontrollet që i kanë bërë, cilësia e naftës dhe derivateve të saj kanë dal korrekt edhe sa i përket pikës së ngrirjes.

“Po i kemi rritur kontrollet nëpër pikat e derivateve gjatë dimrit. Në plan është bërja e më shumë kontrolleve. Gjatë kontrolleve të deritanishme, pika e ngrirjes ka dalë të jetë normale”, ka bërë të ditur ai.

Edhe Syla u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që kanë probleme gjatë furnizimit me derivate të naftës që të drejtohen në Inspektoratin e Tregut në MTI.

Ndryshe çmimet e naftës kohëve të fundit kanë shënuar ulje deri në 25 për qind. Aktualisht një litër naftë shitet me 88 cent, kurse benzina me 92 cent për litër. /Telegrafi/