U mendua se gjithçka u mbyll kur Antoine Griezmann u bë zyrtarisht lojtar i Barcelonës dhe u prezantua nga klubi katalunas.
Ai madje ka debutuar në humbjen 2-1 ndaj Chelseat në një miqësore.
Por lajmet e fundit që vijnë nga Spanja shkruajnë se për transferimin e francezit nga Atletico te Barcelona fjalën e fundit do ta thotë La Liga.
Kjo pasi Atletico pretendon që Griezmann duhet të paguhet jo 120, por 200 milionë euro.
Javier Tebas, numri 1 i kampionatit spanjoll, e ka konfirmuar se ende nuk është thënë fjala e fundit. Sipas tij La Liga ka mundësi ta bllokojë transferimin.
“Atletico ka paraqitur një protestë me shkrim, duke vënë në dyshim mundësinë për t’i dhënë Barcelonës kartonin e futbollistit. La Liga ka mundësi ta bllokojë blerjen e Antoine Griezmann nga Barcelona. Është një mekanizëm që është vënë në lëvizje dhe do të jenë organet përgjegjëse që do ta zgjidhin situatën”.
“Nuk e di nëse është thyer rregulli nga Barcelona, por po merret në konsideratë që Atletico të ketë mundësi të mbrojë të drejtat e saj”.
“Klubi madrilen këmbëngul se ka prova. Është një situatë e komplikuar juridike, që sigurisht nuk do të marrë fund në ditët e ardhshme, përkundrazi, do të duhet kohë”.
Se a do të bllokohet transferimi, a do t’i jepet leje francezit, apo ai nuk do të zbresë në fushë derisa çështja të sqarohet, La Liga nuk ka dhënë ndonjë informatë shtesë. /Telegrafi/