Veturat autonome janë bërë të zakonshme, kurse tani edhe anijet robotike kanë filluar të lundrojnë kanaleve të Amsterdamit.
Shkencëtarët nga MIT CSAIL kanë bashkuar forcat me shkencëtarët nga Senseable City Laboratory dhe Institutin AMS të Amsterdamit, duke krijuar një anije robotike autonome, transmeton Telegrafi.
Flota e anijeve robotike të quajtur Roboat janë lëshuar nëpër kanalet e Amsterdamit gjatë të enjtes, dhe kanë filluar të transportojnë pasagjerë pa pasur një kapiten në anije.
Roboat është rezultat i punës dhe zhvillimit 6-vjeçar që MIT e kishte testuar si version i anijes autonome, e më i riu quhet Roboat III.
Versioni final do të mund të transportoj deri në pesë pasagjerë, apo 1.500 kilogramë peshë, që do të thotë se mund të transportoj mallra. Atë e vë në lëvizje motori elektrik, e bateritë qëndrojnë deri në 10 orë dhe mund të mbushen me mbushës pa tela.
Sapo t’i afrohet portit, anija ka sensorë të veçantë me qëllim të mos përplaset, e kjo anije autonome përdor edhe kamera që i mundëson shikim prej 360 shkallë.
Roboat është dizajnuar të jetë plotësisht autonom, por operatorët nga qendra e kontrollit në brigje megjithatë kujdesen që gjithçka të shkoj siç është më së miri.
“Roboat mund të kryej detyrat 24/7 pa kapiten, duke i sjellë vlerë të madhe qytetit. Megjithatë për arsye sigurie shtrohet pyetje nëse arritja e autonomisë e nivelit A është e mundur. Sikurse rojet e urave, operatorët do të përcjellin anijen Robotat nga distanca nga qendra e kontrollit. Një person mund të përcjell mbi 50 anije për t’u siguruar që gjithçka do të shkojë mirë”, ka thënë Fabio Duarte, kreu i ekipit të shkencëtarëve të këtij projekti. /Telegrafi/