Site icon Telegrafi

Anija ruse u largua nga Gjeorgjia, protestuesit hodhën vezë ndaj turistëve

Anija ruse e lundrimit Astoria Grande u largua nga porti i Batumit në Detin e Zi pas protestave të organizuara të qytetarëve.

Gjeorgjia aktualisht po përpiqet të tërheqë turistë rusë, por protestuesit dhe partitë opozitare kundërshtojnë “pushtimin” rus të territorit gjeorgjian, si dhe pushtimin e Ukrainës. Protesta u mbajt edhe në kryeqytetin Tbilisi.

Anija Astoria Grande nisi lundrimet në Detin e Zi nga porti rus i Socchit dhe vizita në Batumi mund të jetë e fundit pasi ky port tashmë është hequr nga orari. Demonstruesit e mbledhur në port kërkuan nisjen e anijes turistike dhe pasagjerëve të saj dhe hodhën vezë në drejtim të anijes.

Anija u ankorua për herë të parë javën e kaluar kur solli 800 turistë rusë në një resort gjeorgjian. Vizita zemëroi banorët vendas që dëgjuan rusët të përsërisin propagandën e Kremlinit për pushtimin rus të vitit 2008 që la rajonet gjeorgjiane të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë në duart e rusëve.

Megjithatë, anija arriti sërish të hënën dhe priti këngëtarë që mbështetën luftën në Ukrainë. Ndërsa turistët zbarkonin, protestuesit valëvitën flamujt e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, si dhe flamujt e BE-së dhe bërtisnin parulla kundër presidentit rus Vladimir Putin.

Gjatë ditës, policia arrestoi 23 persona, mes të cilëve një ukrainase. Pastaj anija u largua nga porti më herët se sa ishte planifikuar.

Kryetari i partisë në pushtet, Irakli Kobakhidze, i dënoi protestat dhe i quajti ato të dhunshme, si dhe kritikoi ambasadoren e SHBA-së, Kelly Degnan që tha se askush nuk duhet të presë që gjeorgjianët të mirëpresin turistët nga një vend që ka pushtuar territorin e tyre.

Anija duhej të lundronte në Batumi çdo dy javë si pjesë e lundrimit të tij, i cili kushton 1150 euro për person, por në faqen zyrtare të internetit thuhej se kjo rrugë u braktis dhe u zëvendësua nga një lundrim përgjatë bregdetit turk. /Telegrafi/

Exit mobile version