Site icon Telegrafi

Andy Murray do t’i dhurojë të gjitha përfitimet gjatë vitit 2022 për t’i ndihmuar fëmijët në Ukrainë

(Foto: Instagram/andymurray)

Ylli i tenisit, Andy Murray, është zotuar që të gjitha paratë që do t’i fitojë gjatë vitit 2022, t’i dhurojë për t’i ndihmuar fëmijët e prekur nga kriza në Ukrainë.

Britaniku, i cili është ambasador për UNICEF-in në Mbretërinë e Bashkuar, është duke punuar me organizata bamirëse për t’i ndihmuar fëmijët në Ukrainë me pajisje mjekësore dhe nevoja arsimore.

“Më shumë se 7.5 milionë fëmijë janë në rrezik nga eskalimi i konfliktit në Ukrainë, prandaj jam duke punuar me UNICEF-UK për të ndihmuar në sigurimin e mjeteve urgjente mjekësore dhe kompleteve për zhvillimin e fëmijërisë së hershme”.

“Është jetike që edukimi të vazhdojë, kështu që UNICEF po punon për të mundësuar qasje në mësim për fëmijët e zhvendosur, si dhe për të mbështetur rehabilitimin e shkollave të dëmtuara, së bashku me pajisjet dhe mobilet zëvendësuese”.

Lexo po ashtu LIVE: Dita e 13-të e agresionit në Ukrainë – Gjermania nuk ndjek hapat e SHBA-ve dhe Britanisë

“Do t’i dhuroj përfitimet e mia nga paratë e çmimeve deri në fund të vitit, por kushdo në Mbretërinë e Bashkuar mund ta mbështesë reagimin humanitar të UNICEF-it duke dhuruar në thirrjen tonë – Fëmijët në Ukrainë kanë nevojë për paqe tash”, ka shkruar skocezi në Twitter.

Njoftimi i tenistit britanik, i cili është baba i katër fëmijëve me bashkëshorten Kim Sears, erdhi në të njëjtën ditë kur organizatat udhëheqëse të tenisit dhuruan 700.000 dollarë (rreth 640.000 euro) për të ndihmuar përpjekjet humanitare në Ukrainë dhe për ta mbështetur Federatën Ukrainase të Tenisit. /Telegrafi/

Exit mobile version