Telegrafi

Si ndalet Messi? Ancelotti tregon me këtë ‘recetën’ (Foto)

Ish-trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, merrte gjithmonë masa ekstra për të ndaluar yllin argjentinas të Barcelonës, kur e kishte kundërshtar.

Dhe kishte gjetur një mënyrë, një konkluzion taktik. “The Sun”, tabloidi britanik, ka zbuluar “planin enigmatik” për të neutrazliuar Leo Messin. Bëhet fjalë për një skicë taktike, të shkruar e përpiluar nga dora e vetë italianit të njohur.

Pra, Carlo Ancelotti mendon se ka zbuluar më në fund mënyrën se si mund të ndalet Lionel Messi. Po cili është përfundimi i tij?

Ish-trajneri i Real Madrid ka përdorur një “diagramë” taktike, që ilustron mënyrën se si e udhëzoi skuadrën e tij për t’u marrë veçanërisht me “magjistarin” e Argjentinës.

Ai shpjegoi në kolonën e tij për “Sun Sport”: “Mënyra më e mirë për të ndaluar Messin është duke u mbrojtur si ekip, duke e mbajtur hapësirën në mes të linjave të shtrënguar dhe duke mos e lejuar atë të prekë topin. Për këtë, duhen shumë lojtarë në mesfushë, në mënyrë që të bëjnë që kjo skemë të ndodhë. Kjo ia redukton mundësitë Messit, ndaj do ta shohë më pak topin, të paktën në pozicione të rrezikshme”.

Lionel Messi e ka gjetur rrjetën 36 herë këtë sezon, ndërsa shpërdoroi një penallti fundjavën e kaluar, kundër Getafes.

Ancelotti vazhdoi: “Por, në qoftë se Messi është në nivelin 100 për qind, fizikisht, është e pamundur të ndalet, është e kotë ta synoni këtë gjë, pavarësisht se kush është trajneri dhe cila është strategjia e tij. Talenti i tij i madh e bën pothuajse të pamundur për t’u parashikuar në çdo veprim, kështu që nuk ka asnjë mënyrë për ta mbajtur atë të neutralizuar”, ka deklaruar Ancelotti.