Telegrafi

Ancelotti i tregon madrilenëve si të ndalet ‘jashtëtokësori’ Messi

Carlo Ancelotti ka treguar se mënyra e vetme e një trajneri për të përgatitur ndeshjen ndaj Lionel Messit është që të mos flas fare për sulmuesin e Barcelonës, pasi në këtë mënyrë nuk do t’ua fuste frikën lojtarëve të tij.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë cilësohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave dhe Ancelotti nuk ka asgjë tjetër përveç respektit për aftësitë e argjentinasit.

Trajneri italian ka insistuar se është shumë e rëndësishme që trajnerët të mos fokusohen shumë në aftësitë e Messit në fjalimin e tyre para ndeshjes.

“Të përgatitësh një lojë për Messin është e pamundur”, ka thënë Ancelotti për Goal.com. “Messi është talent fantastik dhe nëse ju përgatiteni për ndeshjen ndaj Messit, ju duhet t’i shmangni bisedat për të dhe aftësitë e tij”.

“Messi është fantastik dhe nëse ju flisni me lojtarët tuaj për aftësitë e tij, atëherë lojtarët tuaj do të frikësohen sepse ju po flisni për një talent të madh”.

“Prandaj është e rëndësishme që të mos flisni për të, por të fokusoheni në lojën tuaj”.