Telegrafi

Analistët: Qeveria teknike me afat të caktuar, zgjidhja më e mirë e momentit

Ndërkombëtarët nuk do të ndërhyjnë në marrëveshjen për koalicion mes Vetëvendosjes e LDK-së. Prandaj, sipas njohësve të proceseve politike, si zgjedhje më pak e keqe për daljen nga situata e krijuar, është qeveria teknike afatshkurte.

Albin Kurti e Isa Mustafa edhe në takimin e së hënës, pas më shumë se dy orësh, nuk arritën të merren vesh për koalicion qeverisës. Kështu ata vendosën që në takimin e së martës të ftojnë edhe ambasadatat e QUINT-it.

Njohësit e çështjeve politike, pavarësisht ftesës, nuk presin që ndërkombëtarët të ndërhyjnë në formimin e qeverisë.

“Nuk është e pritshme që të ketë ndonjë qëndrim të prerë të ndërkombëtarëve në lidhje me këto negociata. Ajo që mund të pritët është një qëndrim neutral i ambasadorëve pasi procesi i formimit të qeverisë u takon LVV e LDK. Pra nuk pritet që ambasadorët e QUINT-it”, deklaroi Artan Muhaxhiri për RTV Dukagjinin.

Edhe analisti Krenar Shala thotë se ftesa për ambasadorët më shumë është lojë e partive për të treguar gjoja seriozitetin karshi tyre, përcjell Telegrafi.

“Janë disa probleme që Kosova vetë duhet t’i zgjidh dhe nuk mendoj që bashkësia ndërkombëtare do të intervenoj në arritjen e ndonjë marrëveshje. Kjo më shumë është lojë e subjekteve politike për t’i bërë presion njëra-tjetrës dhe për ta dëshmuar se njëra palë është më serioze për arritjen e marrëveshjes në krahasim me palën tjetër”, thotë Krenar Shala.

Për analistin politik, Faton Abdullahun edhe nëse do të arrihej një marrëveshje me ndërmjetësim ndërkombëtarësh, kjo do të paraqite kthim në kohë.

Mundësia më pak e keqe, si zgjedhje për daljen nga situata e krijuar, për analistin Artan Muhaxhiri, mbetet qeveria teknike afatshkurtër.

 “Versioni më pak i keq do të ishte një qeveri e përbashkët me afat të caktuar dhe me tema të caktuara e cila do të merrte përgjegjësinë për etapën përfundimtare të bisedimeve me Serbinë e më pas të shpalleshin zgjedhjet e reja. Nuk do të ishte logjike që të shpalleshin zgjedhjet e reja pasi do të mund të përsëritej saktësisht situata e njëjtë”, deklaroi më tej Artan Muhaxhiri.

4 shkurti është dita e fundit ku Albin Kurti si i nominuar, ka të drejtë të propozoj qeverinë./RTV Dukagjini/Telegrafi/