Site icon Telegrafi

Analistët: Nuk është i pamundur suspendimi i Demarkacionit nga BE-ja

Kryeministri Isa Mustafa po qëndron për vizitë disaditore në Bruksel me qëllimin që të bind zyrtarë të BE-së që ta suspendojnë Marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave.

Por, analistët në Kosovë vlerësojnë se kjo përpjekje e kryeministrit është shumë e vonë, edhe pse nuk u duket e pamundshme.

Analistja Besa Shahini mendon se BE mund ta bëjë këtë në të ardhmen, por jo shpejt.

Ajo thotë se ka pasur raste në të kaluarën që Komisioni Europian është tërhequr taknikisht nga kërkesat jorelevante, si ne rastin e Bosnjës, kur është tërhequr nga kërkesa për ta ndryshuar mënyrën si zgjidhet presidenti para se Bosnja të aplikoje për anëtarësim në BE.

“Bosnja nuk ka mundur ta zgjidhë këtë çështje për shkak të ndërtimit të komplikuar kushtetues dhe pasi që nuk është relevante për procesin integrues, kështu që BE heshtazi ka hequr dorë nga kjo kërkesë”, tha Shahini për KALLXO.com.

Sipas saj e njëjta mund të ndodhë edhe me Kosovën.

“E njëjta mund të ndodhë me ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, ngaqë është komplet jorelevant për procesin e vizave dhe njëkohësisht problematik për t’u kaluar në Parlament. Por jo shpejt, ngaqë BE e ka nënvizuar si kusht për 1 vit të tërë dhe e ka vështirë të tërhiqet tani shpejt, pa kaluar më shumë kohë”, tha Besa Shahini.

Se kryeministri është vonë me këtë përpjekje e thotë edhe analisti Imer Mushkolaj. Por, ai mendon se tentativa e Mustafës është absurde, ngase Brukseli e ka bërë të qartë disa herë se demarkacioni është kusht.

“Vizitën e Mustafës atje më tepër duhet parë në kontekstin personal, në kuptimin që të provojë ta zvarrisë çështjen e demarkacionit, e bashkë me të edhe vazhdimin e qëndrimit të tij në pushtet”, tha ai për KALLXO.com

“Marrëveshja për demarkacionin duhet të hidhet në votim në Kuvend, ngase qytetarët nuk e kanë luksin që të presin deri kur koalicioni t’i bëjë votat e nevojshme. Demarkacioni mund ta çojë vendin në zgjedhje, por nuk është shkaku i vetëm pse duhet të ketë zgjedhje të parakohshme”, tha Mushkolaj.

Kurse, Besa Shahini thotë se kjo është një tentativë për ta zhbllokuar procesin e vizave për Kosovën ngaqë LDK nuk ka çka të tregoj si sukses për kohën e vet në pushtet.

“Kryeministri e ka nënshkruar MSA-në si “Kosovo*” pra si entitet joshtetëror që nuk ka mundësi të aplikojë për anëtarësim në BE. Ka dështuar në realizimin e premtimeve për zhvillim ekonomik dhe punësim. Kështu që ka shpresuar që ndoshta, nëse realizohen vizat, ai mund t’i rrisë shanset vetes dhe LDK-së për të dalë mirë në zgjedhjet e ardhshme. Çka Kryeministri po harron është mosliberalizimi i vizave nuk vjen nga mospërmbushja e kritereve teknike, por ngaqë Kosova shihet si rrezik migrimi dhe si e tillë është e vështirë për shtetet e mëdha anëtare që të lejojnë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza”, tha Shahini.

Bashkimi Europian kërkoi dje nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të futet në procedurë për t’u votuar në Kuvend, pas gati dy vjet pritjeje. /Kallxo.com/

Exit mobile version