Site icon Telegrafi

Analistët komentojnë përplasjet në Kuvend mes Kurtit dhe Hotit për Marrëveshjen e Washingtonit

Në  Kuvendin e Kosovës sot është debatuar për Marrëveshjen e 4 shtatorit të vitit të kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin ekonomik, që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nënshkrues i dakordimit, tha se Marrëveshja e Washingtonit theu izolimin ndërkombëtar të Kosovës dhe meqë ka kaluar kohë nga nënshkrimi, qeveria duhet të merret me zbatimin e detyrimeve që dalin prej saj.

Kryeministri Albin Kurti tha se disa pjesë të kësaj marrëveshjeje e bëjnë të kundërtën e thyerjes së izolimit ndërkombëtar.

Në “Debat Plus” panelistët kanë komentuar këto përplasje të liderëve të opozitës me kryeministrin Kurti.

Imer Mushkolaj thotë Avdullah Hoti nuk ka shumë kredibilitet të kritikojë pasi sipas tij ai para se të shkonte në SHBA ka thënë se po shkon atje vetëm për njohje e që sipas tij nuk doli të jetë ashtu.

“Në të dy palët [pozitë e opozitë] unë sot pashë hipokrizi. Edhe nga zoti Hoti, edhe nga ai fjalimi i shkurt i kryeministrit Kurti që më pas e braktisi seancën pa dhënë informata, ishte arrogante. Unë prita sot nga Kurti që të thotë i zbatojë apo nuk i zbatojë zotimet që kishte marrë Hoti në Washington”, deklaroi Mushkolaj.

Astrit Gashi thotë se diskutimi i sotëm në Kuvendin e Kosovës ka qenë i panevojshëm.

“Unë e kam kuptuar që Kurti nuk e përkrahë Marrëveshjen e Uashingtonit por nuk është se do të kundërshtojë…Nuk e di urgjencën e LDK-së pse do të duhej të ftohej Kurti për të debatuar për këtë temë në këtë kohë”, deklaroi Astrit Gashi.

Lexo po ashtu Hoti sfidon Kurtin: T'i anulojë marrëveshjet e qeverive të kaluara, nëse ka guxim

Ish-anëtari i delegacionit të Kosovës në dialogun teknik 2011-2017, Gazmir Raci thotë se ftesa e Hotit sot në parlament për konsensus nuk ishte e drejtë pasi sipas tij as vet ai nuk e ka bërë një gjë të tillë me dialogun.

“Hoti nuk ka pasur konsensus për dialogun as me partnerët e tij të koalicionit në Uashington e tash po kërkon nga Kurti që të arrijë konsensus”, deklaroi Raci.

Xhevdet Pozhari thotë se Kurti sot është duke u përballë me marrëveshjet që i kanë arritur të tjerët para tij.

“Mos të harrojmë se në kohën kur është arritur Marrëveshja e Uashingtonit në SHBA ka qenë kohë fushate. Mos të harrojmë se edhe “kumbara” i kësaj marrëveshjeje, Grenell, sot uron serbët për Vidovdanin”, deklaroi Pozhari.

Nga ana tjetër, Dardan Gashi thotë se Marrëveshja e Uashingtonit mund të këtë pika të favorshme e të pafavorshme, por sipas tij marrëveshje 100% të favorshme nuk ka.

“Nuk mund të marrësh pikat që të pëlqejnë siç ishte njohja nga Izraeli, e të mos pranosh tjerat pika. Në të njëjtën linjë me Albinin është edhe Vuçiqi që nuk po e pranon zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem”, deklaroi Dardan Gashi./Telegrafi/

Exit mobile version