Site icon Telegrafi

Analistët: Aksionet në veri në përputhje me ligjin por ndërlidhen me politikën

Ndërhyrja e Policisë ndaj një banke me bazë në Serbi e që thuhet se në Kosovë operon qe gati një shekull, por asnjëherë me ligjet aktuale, mund të jetë pjesë e një raporti të BE-së për heqjen e masave ndëshkuese.

Ka vite që aksionet në komunat veriore i përcjellë kritika nga ndërkombëtarët dhe kundërpërgjigja nga shumë akterë është se të gjitha janë në përputhje me ligjin.

Është e pamundur që të kryhet ndonjë aksion në veri e aty të mos jenë të pranishëm forcat ndërkombëtare, EULEX-i ose KFOR-it.

Ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës në pozita të larta thonë se edhe gjatë përvojës së tyre në terren por edhe tash, gjithçka monitorohet nga ndërkombëtaret dhe nuk ka asnjëherë shkelje apo tejkalim të kompetencave.

“Nëse dikush është i informuar për të gjitha është Bashkimi Evropian, sepse e ka misionin e EULEX-it, ky mision është trupë e tyre dhe mision i tyre. Dhe plus edhe mekanizmat tjerë edhe përmes KFOR-it, EULEX-it është gjithmonë i informuar, qoftë në shumë aksione që merr pjesë si monitorues dhe vëzhgues, ndërsa në aktivitete të tjera që nuk janë të ndonjë peshe të madhe atëherë informohen edhe pas aksiononit,” ka thënë Ish-koloneli i Policisë, Rrahman Sylejmani.

Lexo po ashtu Në filialin e një banke të Serbisë në Mitrovicën e Veriut konfiskohen dinarë serbë, euro dhe franga zvicerane

Ish-koloneli i Policisë së Kosovës thotë se duke lënë anash kontekstin politik, në aspektin e sigurisë sundimi i ligjit në çdo cep të Kosovës është kompetencë e Policisë së Kosovës.

Sylejmani nuk e përjashton mundësitë që aksionet të shihen në prizmin politik, gjë me të cilën pajtohet edhe analisti Bekim Kabashi, i cili mendon se gjithçka që ndërlidhet me veriun më shumë vlerësohet problem politik sesa ligjor.

“Nuk kemi parë që Bashkimi Evropian, ose aleatët tanë, duke përfshirë edhe SHBA-në të kenë qenë kritikë ose të kanë futur në raport raste kur Policia e Kosovës ka reaguar për problematika, luftim të krimit, zbatim të ligjit, siç është po marrim shembull luftimi i grupeve të narkotikëve, drogave apo atyre të armëve,” tha analisti Bekim Kabashi.

Sipas Kabashit, për çështjen e dinarit, targave, zgjedhjet në veri e shumë të tjera, perëndimi vlerëson se duhet të zgjidhen në procesin e dialogut e jo në forma të tjera.

Ndërkohë misioni i (EULEX-it), lidhur me operacionet e fundit të Policisë së Kosovës në veri, ka theksuar se nuk ndërhynë në to, pasi komponentë kryesore e mandatit ka vetëm monitorimin.

Exit mobile version