Telegrafi

Amir Rrahmani pas humbjes nga Suedia: Sfida u vendos nga dy episode

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani ka folur pas humbjes nga Suedia duke thënë se ndeshja u vendos nga dy episode.

Kosova u mposht nga Suedia me rezultat të thellë 3-0 në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Grupit B për Kupën e Botës “Katar 2022”.

Golat në këtë fitore të Suedisë u shënuan nga Emil Forsberg (29’), Aleksander Isak (62’) dhe Robin Quaison (79’).

Lexo po ashtu Suedia shumë e fortë për Kosovën, mposhtemi me tre gola në “Friends Arena”

Pas humbjes ka folur kapiteni i Dardanëve, Rrahmani, i cili ka treguar dobësitë e ekipit dhe arsyen pse erdhi humbja.

“Sfida u vendos nga ato dy episode, të cilat vështirë është për t’i parandaluar, pasi ndodhi një penallti që normalisht ishte pafat që topi preku në dorë, ndërsa goli i dytë ishte i mrekullueshëm dhe këto dy episode e vendosen ndeshjen”, ka thënë fillimisht Rrahmani pas ndeshjes.

“Tek rezultati 1-0 kemi mundur ta barazojmë rezultatin dhe ndeshjen, por nuk ia arritëm t’i konkretizojmë rastet”.

“Pas ndeshjes i thash ekipit që kemi humbur shumë topa në mesfushë dhe kanë ndodh shumë kundërsulme shkaku i kësaj dhe tjetra që ka ndodh është se e kemi ditur që ata do të luajnë me topa të gjatë dhe topa të dytë dhe ne aty nuk ia dolëm”.

Lexo po ashtu Suedi 3-0 Kosovë, notat e lojtarëve - Isak më i miri, Vojvoda më i dobëti

“Lëndimi? Është goditje normale në futboll, gjithçka është në rregull”.

“Forma me Napolin? Besoj që jam në formë të mirë dhe në nivelin më të lartë dhe nga fillimi i këtij sezoni ka shkuar gjithçka mirë. Kur shënon gola, vlerësimi është më i mirë. Kjo është pika më e lartë në karrierë”, përfundoi kapiteni i Kosovës. /Telegrafi/