Telegrafi

Ambasadorja Çitaku, pas vrasjes së gruas në Prizren: Është koha për revoltë

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Prizren nga burri i saj.

Çitaku, përmes një postimi në Facebook, tha se nuk është koha për tronditje e për të bashkëndjerë dhimbje, por është koha për revoltë.

Ndërsa në një postim tjetër ambasadorja Çitaku ka pyetur se “a nuk ka ardhur koha të flasim për numrin e madh dhe të pakontrolluar të armëve në duar të personave të paautorizuar”.

“Sa armë pa leje janë në Kosovë?”, ka pyetur Çitaku.

Postimet e plota të ambasadores Çitaku:

“Nuk është koha për tronditje e për të bashkëndjerë dhimbje. Koha është për revoltë. Gratë po vriten me një lehtësi të padururshme.
Dhunë e vrasje ndaj grave ka kudo. Ajo që bën dallimin është mënyra se si reagon shoqëria dhe institucionet.
#Timetoact #Gratëpovriten #Revoltë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

“Pastaj, a nuk ka ardhë koha të flasim për numrin e madh dhe të pakontrolluar të armëve në duar të personave të paautorizuar. Sa armë pa leje janë në #Kosovë? Dhe sa lehtë është të pajisesh me një të tillë. Personi që vrau gruan mbrëmë në Prizren sapo paska ardhë nga Zvicrra. Ju garantoj që atë revole nuk e ka sjellë nga atje”, ka shkruar ajo.

Lexo po ashtu Agjencia për Barazi Gjinore dënon ashpër vrasjen e gruas në Prizren
Lexo po ashtu Vrasja në Prizren, Prokuroria pritet të kërkojë paraburgim ndaj të dyshuarit

Për vrasjen e gruas në Prizren kanë reaguar edhe udhëheqësit e shtetit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj.

Viktima A.A dyshohet të jetë vrarë mbrëmë nga bashkëshorti i saj.

/Telegrafi/