Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka pritur sot në një takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.
Në njoftimin e bërë nga VV thuhet se ambasadorja Stjernvall ka uruar Kurtin për rezultatet e arritura në zgjedhjet parlamentare, transmeton Telegrafi.
“Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti, mirëpritën në takim Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, shkëlqesinë e saj, znj. Pia Stjernvall dhe këshilltaren në Ambasadën e Finlandës, znj. Trinka Jusufi. Znj. Stjernvall uroi kryetarin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe vlerësoi me notë pozitive procesin e rregullt zgjedhor, i cili u monitorua edhe nga vëzhguesit e Ambasadës së Finlandës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Tutje në njoftim thuhet se në takim është diskutuar nevoja që Qeveria e ardhshme të realizojë reforma në sektorë të ndryshëm të vendit, me theks të veçantë në sistemin arsimor.
“Në takim pati pajtueshmëri që përvojat dhe ekspertiza nga sistemi arsimor i Finlandës do ta ndihmonin reformën dhe përmirësimin cilësor të sistemit arsimor të Republikës së Kosovës. Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kryetari Kurti përsëriti qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që për dialogun më e rëndësishme është përmbajtja, sesa afatet kohore, dhe tri parimet për të shëruar pasojat e qasjes së gabuar paraprake: jo marrëveshje pa dialog; jo dialog me harta; dhe, jo presidentët e shteteve mbi harta”, përfundon njoftimi.
Ambasadorja Stjernvall po ashtu i dhuroi Kurtit dy libra mbi inovacionet shoqërore të Finlandës, si dhuratë për rezultatin zgjedhor dhe si ndihmë për zgjidhjen inovative të problemeve më të cilat përballet vendi. /Telegrafi/