Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov falënderoi sot qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen dhe solidaritetin ndaj Ukrainës në konfliktin e saj me Rusinë.
Në një komunikim për median të publikuar nga ambasada në Facebook, Shkurov tha se Ukraina ka nevojë për një mbështetje dhe ndihmë aktive.
Sipas Shkurov, Rusia ka kryer një agresion përmes një sulmi ushtarak përgjatë gjithë perimetrit kufitar me Ukrainën.
“Bombardimet janë kryer mbi objekte ushtarake, por edhe mbi qytete paqësore, duke përfshirë këtu edhe sulme nga territoret e përkohësisht të okupuara si Donbas dhe Krime, si dhe nga rajoni juglindor”, është shprehur ambasadori.
“Ky është një akt lufte, sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, shkelje e thellë e Kartës së OKB-së dhe normave dhe parimeve kryesore të ligjit ndërkombëtar”, tha ambasadori ukrainas.
Ai nënvizoi se Ukraina ka shpallur një gjendje ushtarake në të gjithë territorin e saj, ka mbyllur hapësira ajrore, ndërsa kufijtë perëndimorë janë të hapur dhe punojnë nën regjimin e sigurisë së lartë.
“Në kufijtë e Ukrainës me Bjellorusinë dhe Rusinë, vazhdojnë veprime luftarake. Me vendimin e presidentit ukrainas, të datës 24 shkurt, janë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë”, theksoi Shkurov.
“Ne nuk do të dorëzojmë pavarësinë dhe sovranitetin tonë, do të mbrojmë Atdheun tonë me të gjitha mënyrat. Por kemi nevojë për një mbështetje dhe ndihmë aktive. I bëjmë thirrje BE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botës demokratike të përdorin ndaj agresorit, të tilla sanksione, të cilat do të ndalojnë atë”, tha Shkurov.
“Aktualisht në po bëjmë thirrje për sanksione të rrepta dhe diskutime direkte nga të gjitha organizata me ndikim ndaj agresorit rus. Kemi bërë një kërkesë për armatime. Kemi kërkuar nga Shqipëria benzine dhe lëndë të tjera djegëse”, tha ai.
Shkurov u shpreh se deri më tani kanë humbur jetën 40 ushtarakë ukrainas dhe janë shënuar dhjetëra viktima civile, mes tyre edhe 2 fëmijë.
I pyetur nga gazetarët rreth qëndrimit zyrtar të Ukrainës për pavarësinë e Kosovës, Shkurov ka thënë se Ukraina akoma nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë, ai ka shtuar se e vlerëson mbështetjen e qytetarëve të Kosovës në aspektin njerëzor. /Telegrafi/