Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka thënë se gjatë takimit në Bruksel midis dy palëve, Kosova ka propozuar që të pezullojë fazat e mëtutjeshme lidhur me çështjen e targave.
Kjo në këmbim që Serbia të mos lëshojë targa ilegale me akronimet e qyteteve të Kosovës.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian të fillojë procesin e bisedimeve për propozimin e fundit të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.
Por, për “habi”, BE-ja këtë nuk e pranoi, thotë Bajrami.
“Në takimin urgjent të ftuar nga Josep Borrell, Kosova ka propozuar të pezullojë fazat e mëtutjeshme për targat, në këmbim që Serbia të ndalojë së lëshuari targa ilegale dhe Serbia të fillojë procesin e bisedimeve të bazuar në propozimin e fundit të mbështetur nga Gjermania e Franca. Çuditërisht, kjo u refuzua”, ka shkruar Bajrami në Twitter.
At urgent dialogue meeting called by @JosepBorrellF, #Kosovo proposed to suspend further phases of plate conversion, in exchange of Serbia stop issuing illegal plates & EU starting the process of talks based on latest proposal backed by GER & FRA.
Strangely, this was refused!— Agron Bajrami (@AgronBajrami) November 21, 2022
Ndryshe, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave dhe për këtë hodhi përgjegjësinë sidomos te pala e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm.
Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”./Telegrafi/