Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka komentuar zbardhjen e dëshmive të reja nga Ministria e Punëve të Brendshme në lidhje me sekuestrimin e armëve në Banjskë.
Në një postim në platformën X ai ka thënë se derisa Kosova po angazhohej për dialogun e Brukselit, Serbia me agjentët e saj terroristë po përgatiteshin për aneksimin e veriut të Kosovës.
“Në kuadër të hetimeve të sulmit terrorist të 24.09.2023, Policia e Kosovës zbuloi një tjetër depo të armëve të rënda. Dëshmi shtesë se derisa Kosova angazhohej në dialogun e Brukselit, Serbia dhe agjentët e saj terroristë në terren po përgatiteshin për aneksimin e pjesës veriore të vendit tonë”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka kryer të shtunën bastisje në shtatë lokacione në pjesën veriore, lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
Në Mitrovicë të Veriut, përkatësisht te një podrum i lagjes “Tre Rrokaqiejt”, policia ka gjetur mjete shpërthyese, pushkë automatike dhe plumba.
“Lista preliminare e armëve dhe pajisjeve tjera të sekuestruara: 87 copë eksplozivë të tipit TM 100, 3 granata hedhës dore (zola) 1 armë automatike AK-47, 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD, 14 karikatorë, municion të kalibrave të ndryshëm, 63 detonatorë elektrikë, 23 detonatorë mekanikë, 1 orë për aktivizim, 1 granatë dore M79, 3 tuba fitila ndezës”, ka thënë Policia e Kosovës përmes një komunikate për media./Telegrafi/
Part of investigation of 24.09.2023 terrorist attack, #Kosova Police uncovered another heavy arms cache. Additional proof that while Kosova engaged in Brussels dialogue, Serbia & its terror agents on the ground were preparing for annexation of northern part of our country. pic.twitter.com/u1XkncYVPY
— Agron Bajrami (@AgronBajrami) October 14, 2023