Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pasi Departamenti amerikan i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në SHBA Nexhat Krasniqit, zyrtar i prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Hovenier ka thënë se ky njoftim rikonfirmon seriozitetin me të cilin Shtetet e Bashkuara i trajtojnë çështjet e korrupsionit.
Ai ka shtuar se SHBA-ja do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien dhe për të mbështetur institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit.
“Ky njoftim rikonfirmon seriozitetin me të cilin Shtetet e Bashkuara i trajtojnë çështjet e korrupsionit. Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien dhe për të penguar sjelljen kriminale në të ardhmen duke mbështetur institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit”, ka shkruar ambasadori amerikan në platformën “X”.
This announcement reaffirms the seriousness with which the United States takes corruption issues. We will continue to use all available tools to promote accountability and deter future criminal behavior while supporting Kosovo’s rule of law institutions. https://t.co/oI199g1148
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) November 3, 2023
Në njoftimin e bërë nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë, thuhet se Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet, transmeton Telegrafi.
“Shtetet e Bashkuara po e caktojnë Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës që lejonte ndërtimin e një parku industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni”, thuhet në njoftim.