Telegrafi

Ambasadori Guerot: Pajtimi Francë-Britani, shembull për Kosovën e Serbinë

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se pajtimi i vendit të tij me Britaninë e Madhe është shembull që duhet ndjekur nga Kosova dhe Serbia.

Në llogarinë e tij në Twitter, ambasadori të shtunën ka publikuar një fotografi me ambasadorin britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, duke shikuar kurorëzimin e Mbretit Charles III.

“Franca dhe Britania e Madhe miq dhe aleatë përgjithmonë: Tjetër shembull i pajtimit në mes të fqinjëve që dikur kanë pasur probleme me njëri-tjetrin”, ka shkruar ai, duke e vendosur në fund flamurin e Kosovës dhe atë të Serbisë për ta përcjellë mesazhin e tij.

Franca dhe Britania kanë pasur konflikte shekuj më parë, në periudha të gjata.

Marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve u patën tensionuar edhe në vitin 2021 lidhur me peshkimin në Kanalin Anglez./Telegrafi/