Të shtunën, kancelarja gjermane Angela Merkel, ka uruar kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti.
Merkel ka numëruar sfidat që e presin Kosovën ndërkaq ka ftuar Kurtin për vizitë në Gjermani.
Ftesën gjatë ditës edhe zyrtarisht ia ka dërguar Kurtit, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Heldt ka thënë se është i lumtur që personalisht po ia dorëzon këtë ftesë Kurtit.
Ambasadori gjerman ka thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë zhvillim duke përmendur luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe në fund edhe përmbylljen e dialogut.
“Para jush dhe qeverisë Tuaj ndodhen sfida të vështira dhe të rëndësishme, siç janë ndërtimi dhe forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimi i situatës ekonomike dhe, në veçanti, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Këta janë hapat kryesorë për forcimin e perspektivës evropiane të shtetit Tuaj. Qeveria Federale vazhdon ta mbështes Kosovën në këtë rrugëtim. Do të gëzohesha t’ju mirëpres së shpejti në Berlin”, thuhet në letrën e Kancelares Merkel. /Telegrafi/
Happy to personally hand over congratulations and invitation of Chancellor #AngelaMerkel to Prime Minister @albinkurti. #Kosovo and it’s people deserve to move on: good governance, fight against corruption, shape economic perspectives,finally settle dialogue. #backtoworkforKosovo pic.twitter.com/rRCIwO3jCb
— Ambassador Christian Heldt (@GermanAmbKOS) February 8, 2020