Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ambasadori gjerman Christian Heldt ka folur për vonesat në krijimin e qeverisë së re, për pritjet e shtetit gjerman ndaj institucioneve të Kosovës si dhe për luftën kundër korrupsionit dhe për investimet gjermane në Kosovë.
Ambasadori Heldt në një intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka thënë se periudha kohore prej dy muajsh deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve ishte çështje pak sa e vështirë për t’ia sqaruar qeverisë në Gjermani se pse ndodhi kjo.
Sipas tij, Kosova ka shumë punë përpara dhe sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë dy tema që vendi duhet të përqendrohet shumë sidomos nëse synohen investimet e huaja. Ai tha se Kosovës i duhet një qeveri e dijshme e profesionale për të ecur përpara.
Telegrafi: Cilat janë komentet e juaja për vonesat në krijimin e institucioneve të reja?
Ambasadori Heldt: Periudha kohore prej dy muajsh deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve ishte çështje pak sa e vështirë për t’ia sqaruar qeverisë në Gjermani. Unë shoh hapësirë për përmirësim në shumë aspekte, nëse më në fund edhe zbatohen rekomandimet e misioneve vëzhguese të BE-së. Taksapaguesit evropianë paguajnë miliona për të mbështetur proceset zgjedhore në Kosovë, ashtu që edhe ne duam të shohim përparim. Asnjë nga rekomandimet e vitit 2017 nuk është zbatuar në praktikë. Kjo është edhe më shumë për keqardhje marrë parasysh që dita e zgjedhjeve dhe disponimi përgjithësisht pozitiv i votuesve, zyrtarëve dhe vëzhguesve dëshmuan sigurinë dhe normalitetin në rritje të Kosovës në këtë proces. Procesi që dukej se nuk po merrte fund i rinumërimit të votave dhe shqyrtimit të ankesave fatmirësisht deri tani nuk ka pasur ndikim negativ, por tani që të gjithë ne duam t’i kthehemi punës. Bota vazhdon të lëvizë dhe qytetarët këtu e meritojnë t’u respektohet vota e dhënë në tetor dhe të formohet qeveria.
Telegrafi: Cilat janë pritjet e Gjermanisë për Qeverinë e re që pritet të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me Albin Kurtin si kryeministër?
Ambasadori Heldt: Të punojë për këtë vend dhe popullin e tij. Ne, si partnerët më së shumti të angazhuar në Kosovë, që në gusht e kemi thënë çfarë do të çmonim si kornizë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e mëtejme. Nuk ka shumë për t’i shtuar asaj deklarate, sepse varet nga partitë fituese, LVV dhe LDK të vendosin për pikat e përbashkëta programore të agjendës së tyre të përbashkët qeverisëse. Dhe me sa kuptoj unë, pa e parë përmbajtjen, ata duket se kanë mirëkuptim të ndërsjellë. Kjo është gjë e mirë, sepse njerëzit me të drejtë presin nga të dy palët që ato ta ndajnë një agjendë qeverisëse ambicioze dhe përmbajtjesore. Ne, si partnerë jemi këtu për ta mbështetur atë, siç e kemi bërë në të kaluarën. Prandaj është esenciale të jesh në gjendje të punosh me një qeveri të dijshme, profesionale për t’ua kthyer qytetarëve më të shumtën nga ajo që ne arrijmë së bashku. Prandaj përkushtimi për shtetin dhe shërbimi ndaj qytetarëve në shërbimin shtetëror janë të barasvlershme në të gjitha nivelet. Dhe lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit, përqendrimi në sundimin e ligjit, të gjitha këto janë çështje me të cilat pajtohem plotësisht dhe të cilat do t’i mbështesë.
Telegrafi: Keni pasur disa takime me zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe me zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), cila ishte rëndësia e këtyre takimeve?
Ambasadori Heldt: Unë nuk do ta bëja punën time, nëse pas publikimit të rezultatit më në fund, nuk do të kërkoja të informohem duke biseduar me përfaqësuesit zyrtarë. Ne duam të krijojmë një përshtypje lidhur me hapat e ardhshëm, sepse kjo ka ndikim edhe për ne duke qenë partnerë të ngushtë të Kosovës. Pra, si të gjithë kolegët e tjerë diplomatë, ne jemi sinqerisht të interesuar për të dëgjuar ata që do të krijojnë qeverinë e re.
Telegrafi: A duhet të përfshihet edhe Lista Serbe në Qeverinë e re?
Ambasadori Heldt: Në gjermanisht ka një shprehje që thotë shqyrtimi i ligjit mund gjithmonë të jetë iluminues. Në këtë rast, Neni 96 i Kushtetutës së Kosovës me pesë paragrafët e tij e ndriçojnë rrugën për të gjetur përgjigjen në pyetjen tuaj.
Telegrafi: Si mund të bëhet Kosova më tërheqëse për investitorët gjermanë?
Ambasadori Heldt: Sundimi i ligjit, sundimi i ligjit, sundimi i ligjit. Unë jam plotësisht i vetëdijshëm që Kosova shpesh herë ballafaqohet me – le të themi – sfidën e imazhit të saj jashtë vendit. Kjo shpesh arsyetohet me atë se imazhi i një vendi të prekur nga lufta, të cilin ende shumë njerëz e kanë në kujtesë nuk përputhet me realitetin në Kosovë në vitin 2019. Unë jam dëshmitar që secili vizitor që vjen këtu, me plot kuptimin e fjalës, mahnitet me realitetin që sheh në terren. Mirëpo për investitorët sundimi i ligjit është çështje thelbësore. Prandaj, Kosova duhet të paraqitet absolutisht e përsosur në mënyrë për të tërhequr më shumë investitorë potencialë. Për më tepër, një fuqi punëtore e mirë-arsimuar dhe e shkathët është shumë e rëndësishme, si dhe ofrimi i arsimit dhe trajnimit kualitativ në përputhje me kërkesat e tregut të punës do të trasonte rrugën për të realizuar këtë. Kjo nuk vlen vetëm për investitorët potencialë nga Gjermania, por nga të gjitha shtetet, së paku shtetet serioze.
Telegrafi: Lufta kundër korrupsionit dhe sistemi i drejtësisë janë ndër problemet më të mëdha në Kosovë, çfarë prisni nga institucionet e reja në lidhje më këto çështje?
Ambasadori Heldt: Një çështje esenciale. Sektori publik nuk do të duhej parë si një vend ku mund të punësohen persona të caktuar, por ashtu siç duhet të jetë: për t’i shërbyer shtetit dhe qytetarëve. Korrupsioni po e vret besimin e qytetarëve në institucione. Paramendojeni dikë që aplikon për një grant të një ministrie, të cilit më pastaj i kërkohet “të jap diçka” në mënyrë që kërkesa e tij të merret parasysh. Lajmërimi në polici rezulton me kapjen e tij në flagrancë, ai suspendohet e mandej çfarë ndodhë? Kthehet në punë pas një muaji. Mandej pyesni pse qytetarët po e humbin besimin. Si vlerësim i përgjithshëm, legjislacioni kosovar është shumë i mirë dhe i avancuar, edhe në krahasim rajonal. Mirëpo edhe ligjet më të mira janë të dobishme vetëm nëse zbatohen siç janë shkruar në letër. Pra, nuk duhet vetëm që të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në drejtësi, por edhe drejtësia duhet gjithashtu të jetë e barabartë për të gjithë qytetarët. Dhe përfaqësuesit e shtetit në një shtet të ri si Kosova e bartin një përgjegjësi të veçantë. /Telegrafi/